Numri i vdekjeve nga koronavirusi nëpër botë kapërceu shifrën 2 milionë.
Në mbi një vit, që kur sëmundja u shfaq për herë të parë në Wuhan të Kinës, ajo ka vazhduar të mundojë kombet anekënd globit, e të bëjë viktima pavarësisht përpjekjeve të autoriteteve për ta frenuar.
Që nga fundi i vitit 2019 dhe deri më 15 janar 2020, sipas Universitetit Johns Hopkins, janë infektuar mbi 93 milionë vetë. Këto shifra madje mendohet se mund të jenë edhe më të larta se kaq. Që kur Organizata Botërore e Shëndetësisë u detyrua të shpallte pandeminë globale të Covid-19, shtete të ndryshme kanë zbatuar masa të ashpra izolimi dhe ekonomitë e shumë vendeve janë dëmtuar rëndë.
SHBA-ja, e cila ka akuzuar Kinën se ka fshehur informacionet për shkallën e të infektuarve si dhe ka bërë thirrje për një hetim “transparent” për origjinën e koronavirusit. Në ditët e para të shpërthimit, virusi u gjurmua në një treg kafshësh të gjalla në Wuhan, por më pas u tha se aty ishte vendi ku virusi bëri kërcimin nga kafshët tek njerëzit.
Që nga ajo kohë, shumë teori të tjera janë shfaqur, duke përfshirë dhe pretendimet se virusi ka dalë aksidentalisht nga laboratori i patogjenëve të rrezikshëm në këtë qytet. Kina pretendon se pavarësisht faktit që koronavirusi u paraqit për herë të parë në Wuhan, nuk do të thotë se ai domosdoshmërisht e ka origjinën aty.
/Top Channel/