Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë e Kosovës (DhTIK) ka shprehur shqetësimin e saj të thellë lidhur me reduktimet e ashpra të energjisë elektrike që po ndodhin pothuajse në gjithë vendin, duke paralajmëruar pasoja serioze për bizneset.

Në njoftimin e saj, DhTIK thekson se gjatë ditëve të fundit është njoftuar nga një numër i madh i bizneseve anëtare se po përballen me ndërprerje të shpeshta dhe të paplanifikuara të energjisë elektrike, gjë që po shkakton rritje të menjëhershme të kostove operative, humbje në prodhim dhe rrezikim të vazhdueshëm të funksionimit të tyre.

“Situata aktuale vetëm sa e rëndon edhe më tej gjendjen e bizneseve, pas rritjes së çmimit të energjisë elektrike për 16.1% për konsumatorët e rregulluar dhe daljes së mbi 1300 bizneseve në tregun e hapur të energjisë”, thuhet në reagim.

Dhoma paralajmëron se këto zhvillime tashmë kanë prodhuar dëme të konsiderueshme ekonomike dhe po ndikojnë negativisht në konkurrueshmërinë e sektorit privat.

Me këtë rast, DhTIK u bën thirrje institucioneve përgjegjëse dhe akterëve të sektorit energjetik që të ndërmarrin veprime urgjente për stabilizimin e furnizimit me energji elektrike, rritjen e transparencës në menaxhimin e sistemit energjetik dhe garantimin e kushteve të qëndrueshme për funksionimin e bizneseve dhe ruajtjen e vendeve të punës.

Related Posts