Sot në Prishtinë, nga ora 11:00 deri në 12:00, në sheshin “Skënderbeu”, do të mbahet një protestë e organizuar nga organizatat e bizneseve, kundër vendimit të Zyrës së Rregullatorit të Energjisë (ZRRE) për liberalizimin e tregut të energjisë.
Vendimi për kalimin e bizneseve në tregun e lirë të energjisë ka hyrë në fuqi më 1 qershor dhe ka ngjallur shqetësime të mëdha tek sektori privat. Kërkesa themelore e bizneseve është që ky vendim të shtyhet për të paktën një vit, për të lejuar një fazë tranzicioni që do t’i mundësonte bizneseve të përshtaten me kushtet e reja të tregut.
“Në protestë do të marrin pjesë përfaqësues të bizneseve dhe punëtorët e tyre, të cilët do të kërkojnë nga institucionet përgjegjëse të Republikës së Kosovës të reflektojnë mbi kërkesat e komunitetit të biznesit për një fazë tranzicioni në procesin e daljes në tregun e lirë të energjisë”, thuhet në njoftimin e djeshëm të Odës Ekonomike të Kosovës.
Në përpjekje për të marrë një përgjigje më të qartë mbi qëndrimin e OEK-ut dhe hapat e mëtejmë që planifikohen, redaksia jonë ka kontaktuar këtë institucion, por deri në momentin e publikimit të këtij lajmi nuk kemi marrë përgjigje.