Asociacioni i Komunave të Kosovës (AKK), ka reaguar ndaj bllokimit të xhirollogarive bankare të Komunës së Deçanit, duke e cilësuar këtë veprim si një ndërhyrje të papranueshme dhe të rrezikshme në funksionimin e pushtetit lokal.
Kryetari i AKK-së, Sazan Ibrahimi për lajmi.net tha se ky nuk është një rast i izoluar, por pjesë e një tendence shqetësuese të qeverisë për të ushtruar presion mbi komunat që nuk udhëhiqen nga partia në pushtet.
“Asociacioni i Komunave të Kosovës (AKK) është informuar që sa ditë për bllokimin e xhirollogarive bankare të Komunës së Deçanit, duke e cilësuar këtë veprim si të papranueshëm, Ky nuk është rast i izoluar, por dëshmi se qeveria po përdor mekanizmat institucionalë për të bllokuar funksionimin normal të komunave”, tha Ibrahimi.
Kryetari i AKK-së u shpreh se qeveria duhet të ndalojë menjëherë këtë praktikë të paprecedentë.
“Asociacioni i Komunave të Kosovës e konsideron këtë qasje të qeverisë si presion të papranueshëm ndaj pushtetit lokal, i cili rrezikon të minojë themelet e demokracisë lokale dhe të krijojë një precedent të rrezikshëm për të ardhmen”, theksoi Ibrahimi
AKK i ka bërë thirrje Qeverisë së Kosovës që të heqë menjëherë bllokimet dhe të garantojë funksionimin e lirë dhe të barabartë të të gjitha komunave, duke mos lejuar që qytetarët të paguajnë çmimin për mosmarrëveshjet politike.