Si të zgjedhësh mes bajames, tërshërës dhe sojës?

Gjithnjë e më shumë njerëz sot po largohen nga produktet shtazore dhe po i zëvendësojnë ato me alternativa bimore, sidomos qumështin e lopës.

Arsyeja më e zakonshme është jotoleranca ndaj laktozës apo alergjia ndaj proteinave të qumështit të lopës, por gjithashtu luajnë rol zgjedhjet etike, mjedisore dhe tendenca për një mënyrë jetese vegjetariane apo vegane.

Në treg, mund të gjejmë një gamë të gjerë qumështi bimor, por cili është zëvendësimi më i përshtatshëm nëse duam të ruajmë vlerat ushqyese dhe shijen?

Qumështi i bajameve

Ky është një nga alternativat më të njohura. Është i ulët në kalori dhe yndyra të ngopura, por i pasur me yndyra të pangopura, të cilat njihen si të dobishme për shëndetin e zemrës dhe kontrollin e peshës. Qumështi i bajameve shpesh pasurohet me kalcium dhe vitamina (si D dhe E), për të kompensuar mungesën natyrale të këtyre lëndëve ushqyese.

Megjithatë, ka nivel të ulët proteinash, rreth 1 gram për filxhan, shumë më pak se qumështi i lopës (8 gramë për filxhan). Për këtë arsye, nuk rekomandohet si burim kryesor proteinash për fëmijët që janë në fazë rritjeje, përveç nëse kombinohet me burime të tjera proteinike.

Qumështi i tërshërës

Një alternativë gjithnjë e më popullore për shijen e tij të butë dhe strukturën kremoze. Shkon shumë në kafe, smoothie apo gatime, pasi trashësia dhe ëmbëlsia natyrale e bëjnë të përshtatshëm për receta.

Qumështi i tërshërës përmban më shumë karbohidrate dhe kalori se shumë të tjerë bimorë. Për më tepër, duhet pasur kujdes nga personat me celiaki ose intolerancë ndaj glutenit, për ta duhet të përdoret vetëm qumësht tërshëre i certifikuar pa gluten.

Ky lloj qumështi përmban më shumë fibra (beta-glukan) që mund të ndihmojnë në uljen e kolesterolit.

Qumështi i sojës

Qumështi i sojës është më i afërti me qumështin e lopës për nga përmbajtja e proteinave, rreth 7-9 gramë për filxhan, afërsisht sa qumështi i lopës. Është pa laktozë dhe pa gluten, gjë që e bën një zëvendësim praktik për shumë njerëz me intoleranca.

Soja përmban të gjitha aminoacidet esenciale, prandaj qumështi i sojës është një nga alternativat më të balancuara për nga vlerat ushqyese. Megjithatë, disa persona mund të kenë alergji ndaj sojës, prandaj duhet kujdes.

A mund ta zëvendësojë plotësisht qumështi bimor qumështin e lopës?

Asnjë qumësht bimor nuk mund të konsiderohet zëvendësim i plotë natyral i qumështit të lopës, veçanërisht për fëmijët e vegjël. Qumështi i lopës ofron proteina të plota, kalcium natyral dhe një profil të plotë aminoacidesh që janë të rëndësishme për zhvillimin.

Nëse përdorni qumësht bimor si alternativë, këshillohet të zgjidhni produkte të fortifikuara me kalcium, vitaminë D dhe B12, për të shmangur mangësitë ushqyese.

Këshillë praktike: Zgjidhni gjithmonë versione pa sheqer të shtuar dhe lexoni etiketat për të shmangur aditivët e panevojshëm.

Related Posts