“Cirkuzanta politikë”- Gashi: Presidentja po bën “hajgare me shtetin” me komentet në Kushtetuese

Analisti politik Astrit Gashi ka kritikuar ashpër Presidenten e Kosovës, duke e akuzuar se po e përdor Gjykatën Kushtetuese për qëllime politike dhe po tregon papërgjegjësi në raport me sigurinë kombëtare.

Sipas tij, Presidentja ka folur për dërgimin e komenteve të saj në Gjykatën Kushtetuese, ku për to do të votojë edhe gjyqtari Radomir Llaban, i cili, sipas vetë saj, paraqet “rrezik për sigurinë kombëtare”.

“Presidentja nuk e ka bërë asnjë veprim. Pra, asnjë letër Gjykatës Kushtetuese nuk ia ka dërguar duke thënë: këto janë informatat e mia, ju lutem shikoni këto dhe nëse keni nevojë merrni një vendim mbi bazën e tyre. Pra, nuk ju sugjeron asgjë, vetëm i informon. Edhe këtë nuk e ka bërë. Ka dalë vetëm në një konferencë për t’i informuar votuesit e Lëvizjes Vetëvendosje se ‘këtu jam’”, ka deklaruar Gashi.

Duke e cilësuar veprimin e saj si të papërgjegjshëm, Gashi shtoi:

“Presidentja po thotë se do t’i dërgojë komentet e mia në ankesën e Listës Serbe në Gjykatën Kushtetuese, ku për ato komente do të votojë një gjyqtar serb, Llaban, i cili është rrezik për sigurinë kombëtare. Tash, çka me iu thënë këtyre njerëzve përveçse cirkuzantë politikë? Absolutisht kjo është hajgare me shtetin. Nuk bëhet kështu hajgare me shtet. Nëse e ke alarmin për rrezikimin e sigurisë kombëtare, ti nuk mundesh me ndenjur duarkryq dhe të mos bësh asgjë”.

Deklarata e Gashit shënjon një kritikë të drejtpërdrejtë ndaj lidershipit të shtetit, duke e akuzuar Presidenten për mungesë serioziteti dhe për përdorimin e institucioneve kushtetuese në funksion të agjendave politike partiake.

Related Posts