Dhomat e Specializuara në Hagë kanë bërë të ditur se Wesley Clark do të fillojë dëshminë të hënën e 17 nëntorit në procesin gjyqësor që është duke u zhvilluar ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit.

DhSK-ja njofton se pas përfundimit të dëshmisë së Clarkut, të mërkurën, më 19 nëntor, do të mbahet Konferenca për ecurinë e çështjes

“Seanca e planifikuar paraprakisht për të premten, më 21 nëntor, është anuluar”, thuhet në njoftim.

Në rastin e Thaçit dhe të tjerëve për sot dëshminë e ka përfunduar dëshmitari i gjashtë, Michael Durkee, këshilltar politik i komandantëve supremë të forcave aleate të NATO-s në Evropë.

Durkee do ta vazhdojë dëshminë e tij nesër.

Para trupit gjykues, ai sot ka thënë se në kohën kur kishte ndodhur takimi mes tyre dhe Hashim Thaçit në mars ose prill të 1999-ës në Mons të Belgjikës, nuk e dinin se cilat ishin kapacitete e UÇK-së.

Në dokumentin që iu prezantua dëshmitarit, thuhej se në atë takim ishin Hashim Thaçi, Ramë Buja, Jakup Krasniqi, Xhavit Haliti, Azem Syla, Blerim Shala, Edita Tahiri, Mehmet Hajrizi, Fehmi Agani dhe Gjergj Dedaj, raporton “Betimi për Drejtësi“.

Dëshmitari tha se i njeh të gjithë këta emra, por që vetëm Thaçin dhe Jakup Krasniqin e kishte takuar.

“Të gjithë ata emra unë i njoh në kuptimin që jo si persona që i kam parë ose takuar vetë. Personat që i kam takuar personalisht kanë qenë zoti Thaçi dhe Krasniqi dhe emrat tjerë janë thjesht të dëgjuar dhe jo të takuar”, tha Durkee.

Në këtë takim, Clark sipas dëshmitarit po mendonte se deri në çfarë mase do mund të bashkëpunohej me ata.

“Ishin të gatshëm që të gjenin mënyra për të marrë mbështetje e NATO-s për fushatën ajrore për t’i rezistuar shtypjes serbe” i shpreh Durkee.

Kurse për kapacitete ushtarake të UÇK-së, Durkee tha se në atë kohë s’kishin ndonjë informacion të mirë dhe se nuk mund të bënin vlerësime sa i përket kapaciteteve të tyre.

“Në atë kohë s’kishim informacion shumë të mirë dhe se nuk mund të bënim vlerësime sa i përket kapaciteteve të tyre. Pra, nuk e dinim se cilat ishin kapacitetet e tyre ushtarake saktë. E dinim që kishin luftëtarë në terren”, tha Durkee.

Ai tha se ishte e qartë se delegacioni i shqiptarëve dhe UÇK-ja ishin të vendosur për pavarësinë nga Serbia.

“Ishte e qartë që ata ishin të vendosur për pavarësi nga Serbia”, deklaroi dëshmitari.

Sot edhe ish-diplomati amerikan Christopher Hill, e ka përfunduar dëshminë e tij në Hagë Gjatë dy ditëve, ai ishte i ftuar nga mbrojtja e ish-presidentit Hashim Thaçi.

Hill iu përgjigj pyetjeve të parashtruar nga avokatët, prokurorët dhe gjykatësit.

Christopher Hill, duke u përgjigjur në pyetjet e gjyqtarit Fergal Gaynor, ka deklaruar se nëse shikohet historiku i formimit të Hashim Thaçit, nuk ka asgjë që sugjeron se ai mund të lëvizte gjërat brenda për brenda UÇK-së.

Sipas ish-diplomatit, në pikëpamjen e jashtme, Thaçi e kuptonte se si funksiononte bota dhe sa e rëndësishme ishte që ShBA-të të ishin në anën e tyre.

“Përshtypja ime është që nëse do shikoni historikun e Thaçit se çfarë formimi ka ai nuk ka asgjë që ai mund të lëvizte gjërat brenda për brenda UÇK-së por në pikëpamjen e jashtme ai e kuptonte se si funksiononte bota dhe e kuptonte se sa e rëndësishme ishte që SHBA-të të ishin në anën e tyre”, deklaroi ai para trupit gjykues njofton Klankosova.tv.

Hill, i pyetur se a pajtohet se UÇK-ja ishte një lëvizje çlirimtare e armatosur, e pohoi por tha se shtrohet pyetja se sa e integruar ishte UÇK-ja.

“Po, por pyetja që shtrohet është se sa e integruar ishte UÇK-ja krahasimisht me grupe të tjera të ndryshme që lidheshin vetëm me të por vepronin sipas kokës së tyre dhe urdhrave të tyre”, tha Hill.

Duke qenë fjala për një lëvizje të armatosur, amerikani u pyet se cila është ndasia në mes një lideri politik dhe një udhëheqësi ushtarak në kuadër të një lëvizje çlirimtare të armatosur.

“Udhëheqësi politik është një person që luan një rol të ministrit të Punëve të Jashtme dhe nuk është përgjegjës për çështjet e brendshme”, deklaroi ai.

Related Posts