Betim Gashi thotë se mezi arrin të sigurojë gjithçka që duhet për familjen e tij 5-anëtarëshe.
“Gjithçka është shtrenjtuar që nga fillimi i luftës në Ukrainë – vaji, mielli, sheqeri e plot produkte të tjera. Ato nuk janë kthyer më në çmime normale, por janë duke u rritur vazhdimisht”, thotë 38-vjeçari nga Prishtina.
Ai punon në një institucion shtetëror, ku paga neto është rreth 500 euro, por për shportën mujore thotë se i duhen rreth 400 euro.
“Këtu pa e përfshirë rrymën që më kushton rreth 40 euro – plus faturat tjera, drurët për ngrohje, uji, mbeturinat”, thotë Betimi.
Duke folur për Radion Evropa e Lirë, ai tregon se i është dashur të zvogëlojë sasinë e produkteve higjienike, për t’i siguruar të gjitha ushqimet.
“Dikur blija detergjent të rrobave prej 9 kilogramësh, tash e marr nga 2 kilogramë”, tregon Betimi.
E, meqë ka fëmijë të vegjël, ai përmend edhe shtrenjtimin e pelenave dhe të pecetave.
Thotë se shpresa e tij e vetme është që shteti të ndërhyjë dhe t’i ulë çmimet e produkteve esenciale, sidomos ato vendore, sepse, siç thotë, janë bërë të barabarta me çmimet e produkteve të importuara.
Për këtë arsye, Betimi do t’i bashkohet edhe nismës “Kosova bojkoton”, përmes së cilës qytetarët janë organizuar në rrjete sociale dhe i kanë ftuar edhe të tjerët që të mos blejnë në dyqanet zinxhir, më 15 dhe 16 shkurt, në shenjë proteste kundër çmimeve të larta.
Kjo nismë është ndërmarrë fillimisht në Kroaci, më 24 janar, dhe ka rezultuar me rënie prej më shumë se 50% të shitjeve në të gjithë vendin.