Rënia e çmimeve të naftës në bursat ndërkombëtare, pas armëpushimit mes SHBA-së dhe Iranit nuk është reflektuar të mërkurën në Kosovë.
Përkundrazi, çmimi i një litri naftë u ngrit për një cent krahasuar me një ditë më parë, ndonëse në tregjet globale është shënuar rënie prej mbi 15 për qind.
Kur çmimet rriten në bursa, ato reflektohen menjëherë në Kosovë, por nuk ndodh e njëjta kur ato bien.
Kryetari i Shoqatës së Naftëtarëve të Kosovës, Fadil Berjani, tha se çmimi do të ulet gradualisht.
“Frika për ndërprerje të furnizimit është ulur dhe kjo u reflektua menjëherë në çmime, me indekse si USOIL dhe Brent që panë një stabilizim në orët e fundit. Megjithatë, kjo mund të jetë një reagim afatshkurtër. Nëse situata mbetet e qetë, çmimet mund të vazhdojnë të bien gradualisht. Vetëm një marrëveshje e qëndrueshme do të sillte stabilizim të plotë të tregjeve, përfshirë edhe Kosovën”, ka thënë Bajrami.
Sipas të dhënave të Doganës së Kosovës, çmimi i naftës që ka hyrë të mërkurën pa përfshirë taksat ishte 1.20 euro.
E ministrja e Tregtisë, Mimoza Kusari-Lila, ka shprehur besimin që stabilizimi i çmimit të naftës të vazhdojë në ditët në vijim pas arritjes së marrëveshjes për armëpushim dyjavor mes SHBA-së dhe Iranit.
Kusari-Lila tha se mekanizimi ekzistues për përcaktim e çmimeve maksimale të lejuara të derivateve të naftës nuk do të lejojë të shkohet mbi normën e përcaktuar.
“Uroj që stabilizimi i çmimit të naftës dhe derivateve të vazhdojë ditëve në vijim, dhe kjo do të varet nga rrethanat në Lindjen e Mesme. Shumë e rëndësishme që ky mekanizëm i joni deri tani ka dhënë rezultatet e veta ndoshta jo në nivel 100 për qind. Ka pasur lëvizje të çmimeve, por gjithsesi që në situatën kur do të kemi qarkullim të lirë në Ngushticën e Hormuzit dhe mosndikim të sasisë apo të çmimit në berzhën ndërkombëtare, atëherë edhe në Kosovë do të hiqet mekanizmi i përcaktimit me marzhë. Por duhet më shumë sesa një ditë që të përcaktohet saktë se a kemi kaluar në një situatë normale apo ende ka hapësirë për destabilitet”, ka thënë ajo.
Çmimi i karburanteve në Kosovë ka shënuar rekord të shtunën.
Ndonëse, sipas vendimit të ministres Kusari-Lila, një litër naftë ka mundur të shitet deri në 1 euro e 91 centë, ndërkaq një litër benzinë deri në 1 euro e 44 centë, operatorët ekonomikë e shitën më shtrenjtë.
Disa prej operatorëve fshehën çmimet, duke i larguar ato nga ekranet publike.
E të tjerë hapur nuk i janë bindur vendimit.
Edhe ministrja Kusari Lila ka thënë se është shkelur vendimi gjithandej Kosovës.
Ajo ka raportuar disa të dhëna, në bazë të të cilave në rajonin e Prishtinës, atë të Pejës e edhe në të Mitrovicës litri i naftës është shitur deri në 1 euro e 94 centë.
Por, në Prishtinë është regjistruar edhe çmimi prej 1 euro e 99 centë për një litër naftë.
Nafta u shtrenjtua kur më 28 shkurt Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Izraeli nisën luftën me Iranin.
Irani mbylli Ngushticën e Hormuzit, që shfrytëzohet si rrugë për 20 për qind të naftës në nivel botëror.
Por, me marrëveshjen për armëpushim dyjavor, qysh të mërkurën nisi lëvizja e anijeve nëpër këtë ngushticë. E pasditen e së mërkurës, Irani ka rivendosur ndalesën, pas sulmit të Izraelit në Liban, raportoi agjencia iraniane e lajmeve Fars.
Kryeministri pakistanez, Shehbaz Sharif, ka thënë më parë se Libani ishte përfshirë në armëpushimin mes Izraelit, Shteteve të Bashkuara dhe Iranit, por ushtria izraelite deklaroi se sulmet ndaj Hezbollahut në Liban do të vazhdonin.
Pas deklaratave për armëpushim, çmimet e naftës kanë rënë ndjeshëm që nga njoftimi i armëpushimit, duke u tregtuar tani nën 100 dollarë për fuçi.






















