Kosova është një tjetër “përrallë ballkanike”, një përzierje rrënjësh, largimesh, rikthimesh dhe fëmijësh të shpërndarë në gjithë Evropën. Shkruan Corriere dello Sport.
Kombëtarja e Kosovës ëndërron pjesëmarrjen e parë në Kupën e Botës dhe sot ajo ëndërr nuk duket më aq e largët.
Fitorja dramatike në Sllovaki, 4-3, i ka dhënë edhe më shumë peshë ambicieve të kësaj skuadre dhe ka rritur entuziazmin rreth një përfaqësueseje që, edhe pse e re si shtet, është tashmë e pasur me histori, identitet dhe ndjenjë përkatësie.
Në këtë rrugëtim është i pranishëm edhe një element italian, pasi kapiteni është Amir Rrahmani, aktualisht i lënduar, por që pritet të jetë në Prishtinë për të mbështetur shokët e tij.

Kjo skuadër është ndërtuar mbi dy shtylla: ata që kanë qëndruar dhe ata që janë larguar. Dhe ndoshta pikërisht ky kombinim është forca e saj më e madhe.
Franco Foda, identitet i përzier edhe në stol
Edhe trajneri Franco Foda përfaqëson këtë ide të identitetit të përzier. I lindur në Gjermani dhe me origjinë italiane nga ana e babait, ai ka bashkuar në vete kultura të ndryshme.
Si futbollist dhe trajner, ai ka qenë gjithmonë i njohur për disiplinën, por në Kosovë ka gjetur diçka më shumë: një skuadër që duhet formuar jo vetëm taktikisht, por edhe emocionalisht.
Ish-përzgjedhësi i Austrisë në Euro 2020, që nga viti 2024 drejton një grup ku bashkëjetojnë stile të ndryshme loje, rrugëtime të ndryshme dhe kultura të ndryshme futbolli, por që bashkohen nga një dëshirë e përbashkët për sukses.

Muriqi dhe Zhegrova, fytyra e talentit kosovar dhe lidhja me Italinë
Forca teknike e Kosovës qëndron kryesisht në repartin ofensiv, ndërsa . Vedat Muriqi, i njohur si “pirati”, mbetet pika kryesore e sulmit dhe figura më e njohur e skuadrës.
Përkrah tij është edhe talenti i pastër si Edon Zhegrova, një lojtar që sjell kreativitet dhe fantazi në lojë. Edhe pse nuk luajti në 90 minutat e ndeshjes ndaj Sllovakisë, ai mbetet një nga armët më të forta të Kosovës.
Në portë është Arijanet Muric, ndërsa në mbrojtje Mërgim Vojvoda. Në mesfushë, përvoja dhe energjia vijnë nga Valon Berisha, një tjetër produkt i diasporës.
Skuadra kombinon fizikun ballkanik me përgatitjen qendrore-evropiane, duke krijuar një përzierje unike cilësish.

Kosova beson te Botërori 2026
Nuk është rastësi që Kosova, edhe pse një emër relativisht i ri në futbollin ndërkombëtar, ka arritur të krijojë një identitet të qartë.
Ndoshta nuk ka thellësinë e skuadrave të mëdha, por ka entuziazëm, intensitet dhe një motivim të veçantë.
Për shumë nga këta lojtarë, pjesëmarrja në Kupën e Botës do të ishte shumë më tepër sesa një turne – do të ishte përmbushja e një identiteti sportiv dhe kombëtar që ende po ndërtohet.
Ëndrra është reale. Jo e lehtë, por reale.

Kosova beson dhe mbështetet jo vetëm te tifozët në Prishtinë, por edhe te bijtë e saj të shpërndarë në gjithë Evropën.






















