Fëmijë të stafit akademik të Universitetit të Prishtinës janë pranuar në konkursin për studime të doktoratës në të njëjtat njësi ku punojnë prindërit e tyre.
Me këtë rast nuk është respektuar udhëzuesi për standardet dhe parimet etike të UP-së në lidhje me shmangien e nepotizmit dhe parandalimin e konfliktit të interesit.
Po ashtu nuk është respektuar pika e 13-të e konkursit, e cila thoshte se do të konstatohet që ekziston konflikti i interesit nëse kandidatët kanë lidhje gjaku me një apo më shumë anëtarë të personelit akademik të njësisë përkatëse. Kjo pikë ishte bërë shkas që të shtyhej provimi pranues, por pas disa ditësh ai u mbajt pa ndryshime. UP-ja nuk ka formuar komisione të jashtme për të shmangur konfliktin e interesit.
Në Fakultetin Ekonomik është pranuar Ardi Ahmeti, djali i prodekanit për çështje mësimore, Skënder Ahmeti. Ky i fundit nuk u është përgjigjur pyetjeve të KOHËS, por ka sugjeruar t’i referohemi Kushtetutës e disa ligjeve të tjera.
Në këtë fakultet janë pranuar gjithashtu dy djemtë e Justina Shiroka-Pulës, e cila është në pension, mirëpo mban disa ligjërata pasi ka kontratë të përkohshme. Ajo nuk ka komentuar dhe përgjigjja e vetme e saj ka qenë se është në pension.
E në Fakultetin e Mjekësisë në studimet e doktoratës është pranuar Donat Begzati, djali i profesorit dhe njëherësh koordinatorit të studimeve të doktoratës, Agim Begzati. Ky i fundit ka thënë se nuk ka ndikuar në pranimin e djalit të tij dhe se ky rast nuk paraqet konflikt interesi.
Po në këtë fakultet është pranuar edhe Zana Dragidella që, sipas informatave, është vajza e profesorit Fatmir Dragidella. Ky i fundit nuk është përgjigjur në pyetjet e KOHËS.
Ish-rektori i UP-së dhe profesori Enver Hasani thotë se kjo që ka ndodhur në UP është praktikë e shëmtuar që duhet të ndërpritet menjëherë nga Agjencia Kundër Korrupsionit dhe Rektorati. Ka kërkuar urgjentisht të formohen komisione nga jashtë e ta rishqyrtojnë pranimin e kandidatëve që kanë konflikt interesi.
“Gjykoj që për nja 10 vjet prej sot ne do të kemi 70 për qind të personelit akademik në lidhje drejtpërdrejt të gjakut, që i bie se efektivisht një pjesë e familjeve të caktuara janë gjenetikisht për shkencë, për progres, kurse të tjerët janë gjenetikisht idiotë, të pagdhendur e të papërshtatshëm për të qenë në universitet. Kjo logjikë është vetëm në mesjetë”, thotë ai.
Në një përgjigje me shkrim Rektorati ka thënë se menaxhmenti i UP-së ka pranuar me shqetësim rastet e dyshuara për nepotizëm, për kandidatët e pranuar në studimet e doktoratës. Është zotuar se kjo çështje do të trajtohet në mbledhjen e radhës së Këshillit qendror të doktoratës.
“Njëherësh, menaxhmenti i UP-së është duke shqyrtuar mundësinë që ta diskutojë në Senat kërkesën për opinionin përkatës lidhur me rastet e tilla nga Agjencia Kundër Korrupsionit dhe nga Institucioni i Avokatit të Popullit, për të mundësuar trajtimin korrekt të rasteve në fjalë”, thuhet në përgjigjen e Rektoratit.
Konkursi për studime të doktoratës është hapur në fund të tetorit për gjithsej 134 studentë.