DASH shpreh gatishmëri për dialog strategjik me qeverinë e re të Kosovës, por kërkon veprime konkrete
Procesi i numërimit të votave të zgjedhjeve të 28 dhjetorit, po shkon drejt fundit. Pas certifikimit të rezultateve të zgjedhjeve, pritet formimi i qeverisë së re në Kosovë nga Lëvizja Vetëvendosjes e Albin Kurtit.
Shtetet e Bashkuara të Amerikës, kanë shprehur gatitshmërinë për të bashkëpunuar me Qeverinë e re të Kosovës.
Në një përgjigje për tëvë1, Departamenti Amerikan i Shtetit ka theksuar gatishmërinë për një bashkëpunim të avancuar me qeverinë e ardhshme të Kosovës, duke përfshirë edhe rifillimin e dialogut strategjik, i cili ishte pezulluar gjatë vitit 2025.
Por sipas DASH, realizimi i këtij objektivi do të kërkojë veprime konkrete që avancojnë agjendën e përbashkët për paqe rajonale, stabilitet.
“Shpresojmë të forcojmë partneritetin tonë me qeverinë e ardhshme të Kosovës, përfshirë rifillimin e dialogut tonë strategjik. Megjithatë, realizimi i këtij objektivi do të kërkojë veprime konkrete që avancojnë agjendën tonë të përbashkët për paqe rajonale, stabilitet dhe prosperitet ekonomik të ndërsjellë,” thuhet në deklaratën e Departamentit të Shtetit.
Ndërkohë, zëdhënësi i Qeverisë në detyrë, Përparim Kryeziu, ka deklaruar se bashkëpunimi me aleatët, veçanërisht me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, do të vazhdojë edhe në mandatin e ardhshëm.
“Ne kemi një komunikim të rregullt me Departamentin e Shtetit dhe me ambasadën amerikane në Kosovë, për të adresuar çdo çështje dhe për të punuar së bashku mbi tema me interes të përbashkët. Gjatë mandatit tonë të parë kemi bashkëpunuar ngushtë në fushën e mbrojtjes dhe zhvillimit. Aleanca, partneriteti dhe miqësia jonë bazohen në vlera të përbashkëta dhe orientim strategjik. Si qeveri e rizgjedhur dhe rilegjitimuar përmes zgjedhjeve të 28 dhjetorit, do të vazhdojmë të forcojmë marrëdhëniet dhe partneritetin me miqtë dhe aleatët tanë, sidomos me ShBA-të,” ka theksuar Kryeziu.
























