Rritja e çmimeve të të gjithave produkteve bazë të qytetarëve të vendit pothuajse po ndodhë çdo ditë. Pavarësisht rritjes së këtyre çmimeve, pagat nuk kanë lëvizur fare sidomos ato të sektorit privat për dallim nga ato publiket ku po shqyrtohet ligji i pagave.
Ekonomistët vendor por edhe qytetarët kanë ‘gjuajtur’ propozimin për tërheqjen e trustit pensional.
Ekspertët e çështjeve ekonomike në Kosovë, propozojnë që Qeveria e Kosovës t’ua mundësojë qytetarëve edhe një tërheqje nga Fondi Pensional, prej 20 për qind.
Në lidhje me këtë Agjencia e Lajmeve FaktePlus ka dërguar pyetje në Trustin Pensional të Kosovës kështu duke pyetur zyrtarët e këtij institucioni nëse do të rrezikoheshin fondet e Trustit me tërheqjen e 20 përqindëshit si dhe për kapacitetet lejimit të tërheqjes.
Nga ky Institucion nuk kanë dhënë ndonjë përgjigje konkrete por vetëm duke treaguar se këta të fundit kanë për mandat menaxhimin e kontributeve pensionale të qytetarëve.
“Fondi i Kursimeve Pensionale i Kosovës e ka për mandat t’i administrojë dhe menaxhojë kontributet pensionale të qytetarëve të Kosovës deri në pensionim. Kjo nënkupton zbatimin e legjislacionit në fuqi, i cili nxirret nga institucionet përgjegjëse të vendit. Pra ne mund të deklarohemi vetëm për çështje që bien në fushën e veprimit tonë institucional”, thuhet në përgjigje.
Ndrushe me Ligjin për Rimëkëmbje Ekonomike, të nxjerrë në dhjetor 2020 nga Qeveria e Avdullah Hotit, qytetarëve iu ishte mundësuar të tërheqin 10 për qind të kursimeve nga Trusti. Për katër muaj sa zgjati aplikimi, 427 371 veta tërhoqën mbi 197 milionë euro. Rreth 120 milionë euro prej tyre do të rimbursohen në 5 vitet e ardhshme, për personat që tërhoqën më pak se 1 mijë euro (kishin nën 10 mijë euro kursime).