Florian Haxha, futbollisti që ka përfaqësuar dy herë Kombëtaren e Kosovës në ndeshjet e qershorit, është shumë pranë transferimit te skuadra polake Motor Lublin.

Kontrata e tij me klubin austriak Kapfenberg SV skadon këtë verë, duke e bërë atë të disponueshëm si lojtar i lirë.

Haxha debutoi me fanellën e Kosovës gjatë muajit qershor, dhe është vlerësuar për shkathtësinë dhe fleksibilitetin taktik, pasi mund të luajë si sulmues qendror, por edhe si anësor i djathtë.

Në sezonin e fundit në 2. Liga të Austrisë, ai ka regjistruar 5 gola dhe 11 asistime, ndërsa ka dhënë edhe një asist shtesë në ndeshjet e Kupës së Austrisë – shifra që pasqyrojnë kontributin e tij konstant në fazën ofensive.

Sipas raportimeve të gazetarit Kamil Bętkowski, lojtari pritet t’i nënshtrohet testeve mjekësore në ditët në vijim.

Nëse gjithçka shkon sipas planit, Haxha do të nënshkruajë kontratë me Motor Lublin, klub që garon në ekipin elitar të Polonisë dhe kërkon përforcime cilësore për sezonin e ri.

Related Posts