Nutricistja Dhurata Nasufi-Halabaku deklaroi se dehidrimi është më i rrezikshëm për moshat e 1-3 vjeçare dhe numri më i madh i vdekjeve të fëmijëve në botë, shkaktohet nga dehidrimi.
Ajo tha të hënën në SOT të KTV-së se dehidrimi njihet si ikje e ujit nga organizimi, e shkaktarët për dehidrim në organizimin e njeriut janë të shumtë.
“Dehidrimi është ikja e ujit nga organizimi. Atëherë kur më pak marrim ujë, se sa hedhim jashtë organizmit. Faktorët janë të shumtë. Duke filluar nga moshat më të vogla, deri te ato më të shtyra. Me mungesën e ujit kemi një disbalancë të elektroliteve. Pra, aty uji nga organizmi nuk del i pastër por me vete i merr edhe elektrolitet siç janë Natriumi, Kaliumi, jonet bikarbonate e kështu me radhe. Dehidrimi ndahet në i lehtë, i mesëm dhe më i rëndë”, tha Nasufi-Halabaku.
Sipas nutricistes, kur pacienti është i dehidruar, ka temperaturë të lartë, mukoza është e thatë, nuk urinon, është i përgjumur e i bie tensioni i gjakut.
“Nëse nuk marrim masa mund edhe të vdesim. Pos me ujë, hidratimi është edhe me lëngje, me fruta me perime që përmbajnë një sasi të madh të ujit dhe të elektroliteve. Trangujt, domatet, pjepri, shalqiri, kanë ujë dhe është shumë mirë të konsumohen. Ose të marrim çarja pa sheqer”, shtoi ajo, derisa potencoi se vjellja është ndër simptomat e para të dehidrimit.
“Vjellja e cila është më e parë ndër simptomat e dehidratimit, është një refleks mbrojtës. Sikur kur gëlltisim një trup të huaj, me kollitje e heqim jashtë, vjellja është refleks mbrojtës. Nuk duhet të marrim infuzion nëse vjellim. Trupi ka shumë mekanizma mbrojtës. Më mirë është të vjellim disa herë, e ta heqim jashtë atë. Nëse e shohim se diçka nuk është në rregull, është më mirë të pauzojmë me marrjen e ushqimeve shtesë. Një gotë ujë, me lëng limoni dhe një lugë me krip, janë të domosdoshme kur kemi probleme. Kur lukthi e heq atë substancë toksike, ai fillon të qetësohet, e pastaj nisim me ushqime të lehta”, tha Nasufi-Halabaku.
Sipas saj, uji i thjeshtë është më i miri në procesin e hidrimit, por që edhe ai i gazuar mund të ndihmojë. Për kafenë, nutricionistja potencoi se është dehidrues natyral, por që pas konsumimit të saj, rekomandohen dy gota me ujë.
“Hidratimi ndikon në koncentrim, në të mbajturit mend, në artikulacione, në lëkurë, në flokë. Organizimi i njeriut është 70 për qind ujë. Qelizat janë me ujë, hidratimi e prekë komplet organizimin e njeriut”.