Ndoshta dikur ju ka shkuar në mendje të vizatonit mbi mure, por nuk keni guxuar sepse mendonit se ishit të rritur? Epo, tani është momenti i duhur për ta bërë, dhe madje keni edhe një arsye të fortë

Sigurisht, ndonjëherë ju ka shkuar në mendje të merrni një marker dhe të vizatoni mbi divanin e ri? Deri vonë, një gjest i tillë do të konsiderohej kontravers, por në vitin 2025 është bërë një simbol i papritur i stilit të rafinuar në dizajnin e brendshëm. Trend-i i vizatimit manual nuk ka qëndruar vetëm te mobilet. Njerëzit gjithnjë e më shpesh përdorin lapsa për t’i dhënë personalitet tapeteve, abazhurëve dhe pothuajse çdo sipërfaqe tjetër në shtëpi.

Qëndisjet imagjinare, letrat e personalizuara të sfondit dhe detajet e pikturuara me dorë kanë paralajmëruar një kthim te prekja personale në dizajn për ca kohë tashmë. Por pse vizatimi mbi dekor ka fituar kaq shumë popullaritet?

Sfondi i trendit të dekorit të vizatuar

Dëshira për detaje unike dhe të punuara manualisht ndoshta shpërtheu pasi modelja Kendall Jenner tregoi shtëpinë e saj gjatë Krishtlindjeve të fundit, ku vendin qendror e zuri divani tashmë viral i markave Bode dhe Green River Project. Divani i saj ngjyrë okër ishte i zbukuruar me ilustrime të kujtimeve të saj më të dashura.

Natyrisht, një pjesë mobilieje e tillë nuk blihet impulsivisht. Megjithatë, shërben si frymëzim për të sjellë në hapësirën tonë copëza të personalizuara dhe të vizatuara me dorë.

“Dekorimi i vizatuar i jep karakter dhe personalitet hapësirës, diçka që aktualisht e vlerësojmë shumë,” thekson artistja dhe dizajnuesja e brendshme Tes Njuol, shkruan Living etc, përcjell Telegrafi.

Ky trend përshtatet gjithashtu me popullaritetin në rritje të blerjes së mobileve të përdorura dhe projekteve “bëje vetë” (DIY), ku pjesët e vjetra marrin një jetë të re. Njerëzit thjesht duan që shtëpitë e tyre të tregojnë histori dhe të pasqyrojnë personalitetin e tyre.

Dizajnuesja Jess Murphy, themeluese e studios The Lawns Collective, beson se fenomeni i vizatimit manual është një përgjigje ndaj ekspozimit të tepruar ndaj botës digjitale.

“Të gjithë po konkurrojnë me robotët që janë të programuar për të bërë pjesën më të madhe të përvojës njerëzore të duket e vjetruar,” shpjegon ajo. “Por zanati, arti dhe prekja njerëzore gjithmonë do të na mbajnë të lidhur me tokën, sepse qëllimi i tyre është krejtësisht i kundërt me atë që kërkon inteligjenca artificiale dhe ky stil jete automatizuar dhe perfekt.”

Si të integroni dekorin e vizatuar në shtëpinë tuaj

Edhe pse aktualisht shumë popullor, kjo lëvizje është më shumë se një trend kalimtar. Pjesët e punuara manualisht me histori kanë qenë gjithmonë baza e dizajnit të mirë. Për të bërë që objektet tuaja të vizatuara të duken të përjetshme, është thelbësore të gjeni ekuilibrin e duhur.

Për shembull, një divan i zbukuruar me vizatime ose qepje kërkon hapësirë që të shkëlqejë si pjesë qendrore. Pjesa tjetër e mobileve, si tapetet apo tavolina, duhet të ketë tonalitete neutrale për të krijuar një sfond që nxjerr në pah detajet tuaja të personalizuara.

Vizatimi manual nuk do të thotë gjithmonë figura të mëdha dhe të dukshme. Ky stil funksionon bukur edhe për ilustrime më të buta që kujtojnë qepjet apo tatuazhet.

“Të shohësh goditjet e furçës dhe dorën e artistit i jep shpirt dhomës dhe sjell një teksturë të re në skemën e dhomës,” thotë Tes. “Shpresojmë që momentet e vizatuara manualisht të frymëzojnë kreativitet dhe gëzim tek ata që jetojnë pranë tyre.”

Related Posts