Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës ka publikuar vendimin e plotë lidhur me vendosjen e një mase të përkohshme në rastin KO72/26, që ka të bëjë me vlerësimin e kushtetutshmërisë së Dekretit nr. 24/26 të nxjerrë nga Vjosa Osmani më 6 mars 2026.
Kërkesa për vlerësimin e kushtetutshmërisë së këtij dekreti është paraqitur në Gjykatë nga Albin Kurti, në emër të Qeverisë së Republikës së Kosovës, duke u bazuar në autorizimet e përcaktuara me nenin 113 të Kushtetutës së Kosovës.
Gjykata Kushtetuese ka vendosur njëzëri që të caktojë masë të përkohshme, me të cilën ndalohet çdo veprim i Presidentes së Republikës së Kosovës në lidhje me Dekretin nr. 24/2026, si dhe ndalohet çdo veprim i Kuvendit të Kosovës në lidhje me këtë çështje.
Sipas vendimit, masa e përkohshme ka hyrë në fuqi më 9 mars 2026 dhe do të mbetet në fuqi deri më 31 mars 2026.
Vendimi i Gjykatës do t’u komunikohet palëve dhe do të publikohet edhe në Gazetën Zyrtare, në përputhje me ligjin në fuqi.
Vendimin e plotë mund ta lexoni këtu: https://api.webgjk-ks.org/Custom/08d1ae9e-1008-4d89-b7b0-484ab7049a14.pdf






















