Deputetja nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës, Blerta Deliu-Kodra, ka theksuar se si subjekt politik vazhdojnë të mbesin me të njëjtin qëndrim që e kanë pasur prej disa kohësh, se nuk kanë vota për Qeverinë Kurti 3 të dielën.

Deliu ka sqaruar se PDK-ja ka vizione dhe qëndrime krejtësisht të ndryshme nga ato të Lëvizjes Vetëvendosje sa i përket qeverisjes së Kosovës dhe vizionit për vendin.

Deliu-Kodra u shpreh se PDK-ja dhe anëtarët e saj nuk kanë arrogancë siç kanë liderët e LVV-së.

“Nuk pres asnjë deputet që ka marrë besim prej votuesve të Partisë Demokratike të Kosovës, prej qytetarëve të Kosovës në zgjedhjet e fundit, që do të ketë nesër votë për Qeverinë Kurti 3. Tashmë është një odisejadë e zhvillimeve prej shkurtit, ku ne kemi lexuar lajme dhe se ka zhvillime të përhershme që ka përpjekje për të siguruar votën e një deputeti andej e një deputeti këndej. Në të kaluarën, zoti Kurti i quante të njëjtat pazare”.

“Unë çka mund të them me përgjegjësi të plotë nga takimet e fundit që i kemi mbajtur, edhe prej takimit të sotëm, është se absolutisht jemi shumë kompakt. Qëndrimi i PDK-së është se na ndajnë shumë çështje ideologjike në mënyrën se si ne e shohim të ardhmen e Kosovës, zhvillimin ekonomik, perspektivën e qytetarëve të Kosovës, arrogancën tepër të madhe që të njëjtit e kanë, mënyrën se si ata duan të imponojnë qëndrimet në një shtet demokratik, mënyrën se si ata sillen me gjyqtarë të Gjykatës Kushtetuese, të Gjykatës Supreme, me gazetarët, me shoqërinë civile, me partitë opozitare dhe me sindikalistët. Pra, kjo nuk është mënyra se si një subjekt politik që synon ta qeverisë Kosovën mund të bëjë marrëveshje me PDK-në”, ka thënë Deliu-Kodra.

Related Posts