Në Delvinë, situata e zjarreve është alarmante, ndërsa flakët janë duke avancuar drejt qytetit.
Siç raportohet zjarri po i afrohet depove të naftës dhe spitalit, duke rritur rrezikun për përhapjen e mëtejshme dhe një krizë më të madhe në zonë.
Për të shmangur aksidente tragjike, është urdhëruar evakuuimi i pacientëve në spital si dhe heqja e bombolave të oksigjenit, ndërsa i gjithë stafi i spitalit është në gatishmëri dhe në perimetër sigurie përreth godinës.
Për shuarjen e flakëve janë angazhuar mjete zjarrfikëse, dhjetëra efektivë dhe një numër i madh banorësh, të cilët po lagin me ujë zonat përreth shtëpive për të penguar përhapjen e zjarrit.
Disa banorë të lagjeve të prekura janë evakuuar, ndërsa pacientët e spitalit të qytetit janë transferuar përkohësisht dhe po strehohen në kinoteatrin e Delvinës. Mësohet po ashtu se është shkrumbuar Kalaja e Xhimehallës.
Ministria e Mbrojtjes bën me dije se aktualisht janë 37 vatra zjarri në vend, teksa konfirmon se ka nisur evakuuimi masiv i banorëve në Delvinë.
Në Delvinë, zjarri i nisur në Finiq ka kaluar në territorin e bashkisë, duke rrezikuar qytetin pas shkatërrimit të disa fshatrave përreth. Ka nisur evakuuimi i banorëve, ndërsa në terren po punojnë mjete zjarrfikëse dhe avionë nga Greqia, Çekia dhe Sllovakia”, thuhet në njoftimin zyrtar.
“Për shkak të flakëve që po i afrohen pranë qytetit, shumica e forcave të bashkive Sarandë, Gjirokastër, Konispol dhe Finiq, së bashku me Brigadën e Mbështetjes së Emergjencave Civile të Forcave të Armatosura, janë dislokuar në terren për të luftuar vatrat e rrezikshme të zjarrit dhe për të ndihmuar në evakuimin e banorëve”,thekson Ministria.