Dy deputetët e komuniteteve jo-shumicë në Kuvendin e Kosovës, Adem Hoxha nga partia e goranëve “Jedinstvena Goranska Partija”, dhe Fadil Gashi nga “Romani Iniciyativa”, patën marrë pjesë dhe votuar për Vjosa Osmanin në postin e presidentes të dielën e 4 prillit, 2021, një ditë pasi votimi kishte dështuar në dy përpjekje të ndara në mungesë kuorumi.
Hoxha dhe Gashi, ndonëse garuan me parti të veta në zgjedhjet parlamentare të vitit 2021, u bënë pjesë e Grupit Parlamentar të Listës Serbe.
Ndërkaq, portali “Paparaci” ka biseduar me dyshen, të cilët kanë rrëfyer mbi prapaskenat që çuan në votën e tyre pro Osmanit për presidente.
E për të marrë pjesë seancë dhe për të votuar për Osmanin, ata thonë se fillimisht kishin marrë një telefonatë dhe ishin pritur në takim nga kryeministri Albin Kurti.
Megjithatë, ata e pranojnë haptas se për votën e tyre pro Osmanit, morën leje nga Millan Radoiçiqi, shefi faktik dhe asokohe nënkryetari i Listës Serbe. Radoiçiqi asokohe ndodhej në arrati si i kërkuar nga autoritetet kosovare nën dyshimin për vrasjen e politikanit serb të Kosovës, Olliver Ivanoviq.
Në dy intervista për “Paparacin”, dy deputetët që përfaqësojnë komunitetet joserbe, dëshmojnë për prapaskenat e ngjarjeve të 4 prillit, takimin me kryeministrin Kurti dhe rolin përcaktues të Radoiçiqit për votimin e presidentes Osmani.
“Unë si parti e vetme gorane jam në grup në Listën Serbe, ne kemi komunikim dhe bashkëpunim shumë të mirë, ne jemi konsultuar dhe qëndrimi ishte që të mos shkojmë në Kuvend, gjë që ashtu ishte, ditën e parë…”, e pranon deputeti Adem Hoxha. “Unë personalisht e kam pyetur kryetarin e grupit (grupit parlamentar), Igor Simiqin dhe qëndrimi ishte që të mos shkohet”.
Shkuarjes së deputetit goran në seancë një ditë më vonë, i parapriu një telefonatë e tij me kryeministrin Albin Kurti, pretendon ai.
“Kjo ishte dita e parë, dhe ditën e parë nuk kam qenë në Kuvend. Pas një kohe, unë në fshat, po më cingëron telefoni, dmth. rreth orës 11, e kam edhe në telefon, këtë mund ta vërtetojmë, më ka thirrur kryeministri Albin Kurti…”, thotë deputeti Hoxha.
Telefonata me Kurtin ishte e shkurtër.