Ndihmat nga 100 euro të qeverisë, deputeti i PDK-së insiston për Trustin.
Deputeti Bekim Haxhiu, i cili propozoi ndryshim-plotësimin e Ligjit për Fondet Pensionale, i ka bërë thirrje qeverisë që ta shqyrtojë propozimin e tij për Trustin pavarësisht prej premtimit të qeverisë për ndarjen e nga 100 eurove për tri kategori.
Haxhiu tha se nuk do të heqë dorë nga iniciativa që i hapë rrugë tërheqjes së 30 për qind të mjeteve nga Trusti Pensional, e cila sipas tij, është kërkesë e qytetarëve të Kosovës.
“Qytetarët po kërkojnë që të kenë mundësi që t’i tërheqin mjetet nga Trusti, është kërkesë e qytetarëve. Kjo çka dëgjova dhe pash është nga një asistencë sociale më shumë dhe kriza ekonomike nuk mund të tejkalohet për çdo familje përmes lëmoshës por përmes mbështetjes substanciale në përmirësim të mirëqenies së tyre ne kemi propozuar edhe si PDK edhe masa konkrete për zbutjen e krizës”, tha ai për Front Online.
Ai tha se Qeveria “Kurti” me vendime të tilla po mundohet t’iu hedhë hi syve qytetarëve para krizës që e ka kapluar vendin.
Kanë mbetur edhe nëntë ditë që Qeveria e Kosovës, të deklarohet se a është pro apo kundër plotësim – ndryshimit të ligjit, i cili i hap rrugë lejimit të tërheqjes së 10 deri në 30% të kursimeve pensionale të qytetarëve të Kosovës.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, njoftoi të martën se për muajin prill, pensionistëve, punëtorëve dhe studentëve do t’iu ndahen nga 100 euro.
Sipas tij, vlera totale për këtë ndihmë do të jetë rreth 100 milionë euro.
“Për muajin prill do të dyfishojmë vlerën e asistencës sociale për të gjitha familjet që përfshihen në asistencë sociale. Pensionistëve do t’ua ndajmë edhe nga 100 euro shtesë për muajin prill, për të gjitha shtresat. 100 euro do t’i ndajmë për punëtorët e sektorit privat, do të ndajmë shumën prej 100 eurove edhe për mbi 80 mijë zyrtarë publikë. Po ashtu, të gjithë studentët do të përfitojnë nga 100 euro. Për shtresat e cenueshme do të shpërndajmë mbi 80 mijë euro”, tha Kurti në konferencën e mbajtur së bashku me ministrin e Financave, Hekuran Murati.