As në vazhdimin e sotëm të seancës së filluar qysh më 15 prill nuk u konstitua Kuvendi i Kosovës.
Ishte përpjekja e tetë me radhë për konstituimin e këtij institucioni ligjvënës.
Edhe kësaj radhe dështoi propozimi i Lëvizjes Vetëvendosje për zgjedhjen e Albulena Haxhiut për kryetare të Kuvendit.
Ajo, për herë të gjashtë, i mori 54 vota, nga të paktën 61 vota të nevojshme për t’u zgjedhur. Kundër votuan 44 deputetë, ndërsa tre abstenuan.
Vetëvendosje nuk po heq dorë nga kandidimi i Haxhiut për kryeparlamentare. Nga ana tjetër, opozita po e quan atë figurë përçarëse.
Seanca konstituive do të vazhdojë, më 1 maj, në orën 10:00, bëri të ditur kryesuesi i kësaj seance, Avni Dehari.
Seanca konstituive është obligim të mbahet çdo 48 orë pas ndërprerjes.