Ka dështuar të mbahet seanca ndaj të akuzuarve për krime lufte, Zoran Kostiq dhe Dragan Miloviq, pasi pala mbrojtëse kërkoi shtyrjen e saj.

Sipas mbrojtjes, përkthimin në serbisht i deklaratës së dëshmitarit që ishte paraparë të dëgjohej sot, e kanë pranuar vetëm disa minuta para fillimit të seancës, raporton Ekonomia Online, transmeton Klankosova.tv.

Avokati i palës mbrojtëse, Predrag Milkoviq, deklaroi se marr parasysh këto rrethana, mbrojtja nuk pranon që kjo seancë të vazhdoj.

“Nuk jemi gati sepse tani e keni pranuar deklaratën e dëshmitarit të përkthyer para 10 minutash. Më vjen keq që i kemi humbur 20 ditë nga gjykimi i kaluar, por mbrojtja nuk pranon që kjo të vazhdohet”, tha ai.

Nga ana tjetër, prokurorja e rastit, Florie Shabani, kërkoi që dëgjimi i dëshmitarit të bëhet për të mos vonuar procesin gjyqësor.

“Ne me kohë kemi dorëzuar këtë deklaratë të përkthyer, por për shkak të disa pengesave në kompjuter, për të mos e zvarritur këtë procedurë, është mirë që dëshmia e dëshmitarit të merret nga ana e prokurorisë, ndërsa në një seancë tjetër të merret nga pala tjetër,” tha ajo.

Avokati Milkoviq e kundërshtoi këtë kërkesë, duke theksuar se dëgjimi i dëshmitarit nuk është i arsyeshëm në këtë fazë të procesit.

“Konsideroj që nuk është e udhës që ta dëgjojmë këtë dëshmitar. I kam marrë të gjitha shkresat, procesverbalet, dëshmitarët që kanë dhënë deklaratat e tyre. Kjo deklaratë është dhënë ditën e ngritjes së aktakuzës, 15 ditë pas ngritjes së aktakuzës, dhe po e kundërshtojmë dëgjimin e dëshmitarit sot” tha ai.

Në pyetjen e kryetarit të trupit gjykues, Lutfi Shala, nëse ekziston ndonjë mundësi që seanca të vazhdohet me dëgjimin e dëshmitarit nga ana e prokurorisë, avokati Milkoviq u përgjigj

“Unë e kam bërë një herë për prokurorin, nuk do ta bëjë dy herë për prokurorin”, tha ai.

Pas diskutimeve, kryetari i trupit gjykues, Lutfi Shala, mori vendimin që seanca të shtyhet.

“Vlerësojmë që sot nuk ka kushte që të vazhdohet me këtë proces gjyqësor dhe i jepet kohë që të lexohet deklarata,” tha ai.

Sot ishte paraparë të dëgjohej dëshmia e dëshmitarit Naim Haliti.

Të akuzuarit Zoran Kostiq dhe Dragan Miloviq ngarkohen se, në cilësinë e pjesëtarëve të policisë serbe, në bashkëkryerje me pjesëtarë të tjerë të policisë, ushtrisë dhe formacioneve paramilitare serbe, kanë kryer krime lufte kundër popullatës civile gjatë konfliktit në Kosovë.

Related Posts