Dezertimi, istikamet, shokët e vrarë pas shpine dhe brejtësit: Qysh dhe pse shpërtheu debati Gërvalla-Quni?

Një deklaratë e ministres në detyrë, Donika Gërvalla, për Anton Qunin, shpërtheu një debat të madh mes atyre që dikur ishin në një parti.

Akuza, kundërakuza, aludime për frikë gjatë luftës, shokë të vrarë pas luftës, epitete të rënda. Këto ishin rezultatet e asaj që nisi në hollin e Kuvendit nga Donika Gërvalla.

“LDK ka pasë mundësi ta zhbllokojë Kuvendin nuk e ka bërë një gjë të tillë. Imagjinoni, aty në Kuvend janë të ulur djali i Xhemajl Mustafës, Besian Mustafa, nipi i Tahir Zemaj, Armend Zemaj, janë ulur dy komandantë të Koshares, Fadil Hadërgjonaj dhe Anton Quni, dhe këta të katërt janë bërë bashkë me PDK-në dhe Listën Serbe për të votuar kundër Donika Gërvallës”, tha ajo në konferencë para mediave.

E ai që reagoi ishte Anton Quni, i cili ia përmendi Gërvallës dezertimin, kjo ndërlidhur me largimin e saj nga LDK dhe kalimin në partinë e Albin Kurtit.

“Kam një parim të palëkundur, si në jetë, ashtu edhe në punë: nuk mund t’ia besoj një post të rëndësishëm një personi që ka ndryshuar anë dhe ka braktisur njësinë. Kjo është njësoj sikur të avancosh në detyrë një ushtar që ka dezertuar një ditë më parë. Unë besoj vetëm tek ata që qëndrojnë besnikë edhe kur gjërat vështirësohen. Është kjo besnikëri që ndërton besim dhe bën të mundur punën e vërtetë, atë që është në shërbim të qytetarëve”, shkroi Quni në rrjetin e tij social.

Ndaj Qunit, i pari reagoi Haxhi Avdyli. Madje, e akuzoi duke thënë se shpreson që nuk i ka mbajtur istikamet e luftës, sikur premtimet. Aludim që Anton Quni nuk i ka mbajtur premtimet.

“Mirë që është në politikë por së paku të mundohej të mbante disa nga parimet apo ndoshta Lumiri e Isa nuk ia lejon. E lëre që shkeli betimin ndaj qytetarëve, por ushtari bëhet bashkë me ata që u ngrit duke i akuzuar, duke ngrit dorën për të mos votuar ish kryetaren e zëdhënësen e LDK-së në Gjermani , Donika Gërvallan. Nga asnjë parim Rugovian, nuk ka dezertuar Donika, kurse ju përveq 3 shkronjave që ende mbani , cilit parim të dikurshëm jeni duke iu përmbajt akoma? Unë besoj fort që istikamet i ke mbajtë më fortë se premtimet elektorale”, ka shkruar Avdyli.

Reagoi sërish Donika Gërvalla, e cila tash e akuzoi Anton Qunin se nuk ka qëndruar besnik ndaj shokëve që iu vranë pas shpine.

“Besnikëria nuk matet në raport me shefat e partisë dhe baballarët e koalicionit PDK-LDK-Lista Serbe, por në raport me shokët dhe kolegët e vrarë pas shpine. Komandant, ku e le besnikërinë ndaj Tahir Zemajt, Isuf Haklajt, Sebahate Tolajt e shumë të tjerëve? Apo e nxjerr nga sirtari vetëm kur është kohë votash?”, tha Gërvalla.

Quni nuk u ndal dhe ia ktheu sërish, duke e quajtur Gërvallën mes rreshtash si ‘brejtës’ që u largua pasi LDK-ja mendoi se po fundosej.

“Brejtësit janë të parët që braktisin anijen kur ajo rrezikon të fundoset. Pas tyre vijnë ata që mendojnë vetëm për veten. Kur anija shpëton, ata bëhen xhelozë sepse nuk ishin pjesë e shpëtimit dhe fitores. Fundosja e LDK-së do të thotë fundosja e Kosovës. Unë do të jem këtu për aq kohë sa ka njerëz qe e duan LDK-në të fundosur”, ka shkruar Quni.

Në debat u përfshi edhe Faton Peci.

“Komandant, në element je se ti flet një herë në katër vjet. Po iu përkujtoj që kur partia braktis premtimet dhe parimet, largimi është akt nderi”, ka shkruar Peci./Nacionale

Related Posts