Tash e sa muaj kur akrepat shënojnë orën 15:00 “sy e vesh” i kemi tek shifrat që tregojnë rastet e reja me COVID-19 në vendin tonë.
E për të arritur deri tek këto rezultate në Institutin Kombëtar të Shëndetit Publik tash e sa muaj po vazhdon të bëhet një punë maratonike.
Deri më tani, laborantët e Mikrobiologjisë Molekulare në këtë institucion kanë testuar rreth 194 mijë mostra te personat e dyshimtë me virusin SARS-CoV-2, e brenda një ditë në këtë laborator me metodën RT-PCR po testohen mbi 1500 mostra.
Puna në laboratorët e Mikrobilogjisë Molekulare nisi me pak persona por me shtimin e rasteve u rritën edhe kapacitetet humane në laboratorin e IKSHP-së, dhe tani punojnë rreth 48 specialistë, mikrobiologë e laborantë të cilët çdo ditë pranojnë mostra të qytetarëve për të verifikuar se a janë infektuar apo jo me këtë virus vdekje-prurës që mori shumë jetë njerëzish gjatë këtij viti.
Derisa vitin 2020 e kishin menduar si çdo vit tjetër, një patogjen i panjohur që u bë kryetitull i jetës sonë shpejt arriti edhe në Kosovë e kështu ndryshoi jeta e të gjithëve, e veçanërisht e atyre që kishin të bënin direkt me të.
Mikrobiologët e IKSHP-së, ajo dora e padukshme që ishte ndër vite tani e kishte momentin që të tregojnë aftësitë e tyre në gjurmimin e qytetarëve të prekur me COVID-19.
Drejtori i Departamentit të Mikrobiologjisë, Xhevat Jakupi në një rrëfim për KosovaPress ka treguar se si nisi e gjithë puna në këtë institucion shëndetësor qysh nga shkurti kur në vendin tonë kishim vetëm rastet e para të dyshuara për COVID.
Jakupi tha se fillimi ka qenë sfidues në laboratorin për testime PCR, pasi aty ishin vetëm dy mikrobiologë, dhe përkundër që u tentua të shtohet numri i personelit prapë ishte e pamjaftueshme karshi kërkesave të mëdha për testim.
“Realisht ka qenë një sfidë e madhe dhe fillimisht kemi pasur shumë pak personel në shkurt, mars të këtij viti i kemi pasur vetëm dy individë në laborator sikurse në kushtet e zakonshme. Me rritjen e kërkesave ne kemi vendosur laborator shtesë, kemi vendosur personel shtesë, e kemi rritur numrin e personelit por prapë nuk ka qenë e mjaftueshme duke u bazuar në shtimin e kërkesave. Ne kemi staf të mjaftueshëm këtu në Prishtinë, i kemi 48 persona që punojnë, prej të cilëve ka mikrobiologë, ka specializantë në mikrobiologji 15 që kanë filluar para një muaji, si dhe kemi laborantë tash punojmë nga mëngjesi deri në mbrëmje dhe realisht gati të gjitha mostrat që vijnë brenda ditës testohen deri në fund të ditës. Dhe diku një mesatare e punës është rreth 1500 mostra në ditë”, theksoi Jakupi.
Si problem madhor në fillim të pandemisë, Jakupi identifikon edhe mungesën e materialit testues, por tani thotë se këtë brengë nuk e kanë. Madje siç shprehet ai aktualisht i kanë në dispozicion edhe 100 mijë teste PCR, dhe janë të planifikuar të blihen edhe 300 mijë të tjera.
“Problem tjetër madhor ka qenë edhe mungesa e materialit testues në mënyrë të vazhdueshme për shkak të kërkesave madhore në gjithë botën nuk kemi pasur furnizim të mjaftueshëm në fillim të pandemisë dhe ajo ka qenë mjaftë stresuese sepse furnizimi ka qenë vetëm për një javë dhe kur liferimi i ardhshëm vonohej, ne hynin në një fazë të krizës në mungesë të materialit. […]
Kërkesa për teste kemi bërë tash momentalisht i kemi rreth 100 mijë në dispozicion dhe me këtë trend të testimeve do të duhej me vazhduar diku deri në javën e dytë apo të tretë të janarit pa ndonjë problem. […]
Jemi në proces të blerjes së sasive të reja teste edhe do ketë dhe është edhe një proces i blerjes së 300 mijë RT-PCR testeve dhe materialeve shpenzues nga Ministria e Shëndetësisë, kështu që do ketë teste diku rreth 400 mijë që janë të planifikuara dhe kjo do jetë e mjaftueshme për muajt në vijim për të testuar në çdo pjesë të Kosovës”, tha ai.
Për rreth 10 muaj kur edhe u shfaqen rastet e para të infektuara me koronavirus, rrjedha e punës ndryshoi edhe në laboratorin ku kryhen testet PCR, e që tashmë është shndërruar në laborator SARS-COV2.
E udhëheqësja e ndërrimit të këtij departamenti, Zana Kaçaniku-Deva tregon për sfidat nëpër të cilët kaluan gjatë këtyre muajve.
Ajo thotë se duke e parë rrezikshmërinë dhe mundësinë e lehtë të përhapjes së virusit, krahas gjithë punës, frikës dhe lodhjes gjatë gjithë kohës ishin në presion të madh se a do t’ia dilnin apo jo.
“Fillimisht ka qenë brenga për sistemin tonë, për spitalet tona se e kemi ditur që nuk kanë kapacitet të lartë për menaxhimin e rasteve që rezultojnë pozitive dhe mendoj se ajo ka qenë shqetësimi më i madh i të gjithëve profesionistëve shëndetësorë. Sa i përket testimit ne sigurisht që asnjëherë nuk kemi pasur numër kaq të madh të rasteve veçanërisht në laboratorin e PCR, ku bëhet testimi përmes metodës së Biologjisë Molekulare gjithmonë ka ngecur në numër të testimeve për shkak të çmimeve të lartë të lartë të reagentëve dhe kryesisht ka funksionuar përmes donacioneve. Si laborator kemi funksionuar ngjashëm jo me këtë numër kaq të madh të mostrave. […] Fillimisht kemi filluar me testimin e afro 200 mostrave mu për shkak të mungesës së aparaturave ndonëse ka qenë interesimi shumë i madh dhe ndihmë e madhe që na është ofruar prej gjithë stafit ne nuk kemi pasur mundësi t’i procesojmë të gjitha mostrat për shkak të mungesës së aparaturave dhe leximit të tyre, kjo metodë është një metodë e ndjeshme dhe kërkon saktësi gjatë punës, tha ajo.
Rrugëtimin e tij në gjurmimin e pandemisë e kishte nisur si laborant edhe i riu, Robert Ramadani i cili fillimisht iu ishte bashkuar mikrobiologëve në IKSHP si vullnetar. Por ai pati fatin që të punësohej si laborant në këtë Institut, në këtë kohë kur shumë qytetarë të Kosovës humben vendet e tyre të punës për shkak të krizës ekonomike që shkaktoi pandemia.
Ndonëse ndihej i lumtur që në këtë kohë të vështirë krize të kontribuonte për vendin, Ramadani thotë se për të ishte më e vështirë që as në festa e në ditë të vështira të mos ishte pranë familjarëve.
E në ditën kur KosovaPress qëndronte në Laboratorin e Mikrobiologjisë ai festonte ditëlindjen e tij të 21-të, por për të ajo nuk shënonte ditë feste por një përpjekje pune.
“Këtë vit që shkoi më shumë kohë kemi kaluar në laborator sesa në shtëpitë tona gjithë stafi duke filluar nga teknikët deri tek specialistet e mikrobiologjisë, doktoreshat… Kam pas fat që kam mundur të ndahem nga familja dhe kam jetuar në një hapësirë tjetër, në një banesë tjetër… Ka qenë edhe e dhimbshme ajo pjesë largësia nga familja disi nuk ka qenë fare e lehtë për ne… Në fillim kemi testuar 50 mostra në ditë por ka qenë e vështirë për neve se ka qenë diçka e re, përvojë e re dhe fakti që nuk kemi pasur staf shumë edhe aparatura. Puna nuk domethënë që është ndalur por tash ka shkuar duke u lehtësuar edhe pse po testojmë më shumë, puna tash është më lehtë sesa atëherë kur kemi testuar më pak”, tha Ramadani.
Nga marsi Laboratorit të Mikrobilogjisë Molekualare iu bashkua edhe mikrobiologia Rrezarta Bajrami, e cila është udhëheqëse e laboratorit për tuberkuloz. Ajo në një rrëfim për KosovaPress tregon për ditët e punës gjatë kësaj periudhe kur vendi po përballet me pandeminë COVID-19.
Sfiduese e quan gjithë punën që është bërë në këtë laborator, por përkundër kësaj ajo thotë se nuk ka munguar asnjëherë motivi për të punuar.
Bajrami thotë se frika e vetme ka qenë se me atë staf dhe me aq pak aparatura a do t’ia dilnin t’i kryenin të gjitha testimet për qytetarët e prekur me COVID.
“Me paraqitjen e rasteve të para u ndje nevoja, pasi ishin kapacitet më të vogla testuese në kuadër të Laboratorit të Mikrobiologjisë Molekulare, dhe iu bashkëngjita ekipit të kolegëve të mi të mikrobiologëve që ishin në numër më të vogël që ishin vetëm tri dhe u bashkëngjitëm edhe tri të tjera. Ishte sfiduese dhe një punë dhe duke i ditur kapacitetet mjaftë të ulëta, qoftë humane dhe në aparatura mandej një punë e lodhshme, pa orar dhe çdo ditë punë. Jo fort e lehtë për ne, por në krahasim me vitin paraprak goxha sfiduese…
Edhe përkundër vështirësive kemi qenë inkurajuese dhe të motivuara. Asnjëherë nuk jemi demotivuar për mos të e punua çdo ditë punë e kemi pasur me njëfarë përkushtim shumë të madh kemi punuar…Numri i madh i mostrave ka qenë mjaftë një presion a do ia dalim përkundër numrit të vogël, staf i kufizuar, aparaturë e kufizuar, të vetmen brengë e kemi pasur se a do ia dalim kaq fluks të madh të mostrave me këtë numër të vogël të personelit”, tha Bajrami.
Në luftë për të zbuluar koronavirusin, punëtorët e Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës janë qysh nga muaji shkurt, e nga 13 marsi kur janë shfaqur rastet e para me COVID-19 janë testuar rreth 194 mijë persona të dyshimtë me SARS-CoV-2. Me këtë virus në Kosovë janë infektuar mbi 53 mijë persona, ndërsa kanë vdekur mbi 1360 persona.