Një zjarr i madh ka përfshirë një pronë private në fshatin Plluzhinë të Skenderajt mbrëmjen e së enjtes, duke shkaktuar dëme të konsiderueshme materiale. Sipas informacioneve ekskluzive të Gazetës Sinjali, rasti po trajtohet si “Shkaktim i rrezikut të përgjithshëm”, ndërsa për fat të mirë nuk ka persona të lënduar.

Rreth orës 20:30, Policia është njoftuar nga një qytetar me inicialet M.B., 60 vjeçar se kishte shpërthyer një zjarr në pronën e tij. Patrulla policore ka arritur në vendin e ngjarjes rreth orës 21:00, ku ka gjetur zjarrin aktiv që kishte kapluar ushqimin e bagëtive, stallën, si dhe një odë e ndërtuar ngjitur me shtëpinë.

Ankuesi ka arritur t’i largojë bagëtitë nga stalla dhe ka bërë përpjekje për të kufizuar dëmet deri në ardhjen e zjarrfikësve. Njësia e zjarrfikësve ka ndërhyrë dhe ka arritur ta lokalizojë zjarrin, ndërkohë që në vendin e ngjarjes kanë dalë edhe hetuesit e Stacionit Policor në Skenderaj dhe më pas Hetimet Rajonale të Mitrovicës, për të kryer ekzaminimet e nevojshme.

Sipas ankuesit, vlera e dëmit të shkaktuar llogaritet të jetë rreth 27 mijë euro, ndërsa deri tani shkaktari i zjarrit mbetet i panjohur. Ai ka deklaruar se nuk dyshon në askënd konkretisht si autor të mundshëm të zjarrvënies.

Në vendin e ngjarjes ka dalë edhe ekipi i KEDS-it, i cili ka ndërprerë furnizimin me energji elektrike për të parandaluar ndonjë incident të mëtejshëm.

Me urdhër të prokurorit kujdestar, rasti është iniciuar si “Shkaktim i rrezikut të përgjithshëm”, ndërsa hetimet për zbardhjen e plotë të shkaqeve të zjarrit janë në proces.

Related Posts