Edhe gjatë kësaj jave, vendi ynë do të mbetet nën ndikimin e kushteve të paqëndrueshme atmosferike dhe masave më të ftohta ajrore, të cilat parashihen të fuqizohen ndjeshëm në pjesën e dytë të javës.
Si rrjedhojë, dita e martë do të karakterizohet nga vranësira dhe intervale me diell, të shoqëruara lokalisht me reshje të pakta shiu, kryesisht gjatë orëve të para të 24-orëshit dhe në mëngjes.
Të mërkurën dhe të enjten pritet mot me diell dhe vranësira, ndërsa të enjten nuk përjashtohet mundësia për reshje të izoluara, veçanërisht në orët e vona të ditës. Vonë gjatë natës pritet përkeqësim i kushteve të motit.
Të premten, një ciklon i fuqishëm që vjen përmes Afrikës Veriore, do të sjellë reshje të dendura shiu, të cilat në kombinim me masat ajrore të ftohta me origjinë polare, pritet një ulje e ndjeshme e temperaturave, ku në zonat e ulëta maksimalet do të zbresin rreth apo nën 10°C, duke rikthyer reshjet e borës në zonat malore.
Reshjet e shiut dhe borës, si dhe temperaturat e ulëta, do të vazhdojnë edhe të shtunën paradite, ndërsa më pas reshjet pritet të ndërpriten.
Të dielën parashikohet mot me diell dhe vranësira, si dhe një ngritje graduale e temperaturave, megjithatë reshje të izoluara mund të mbesin të pranishme.
Era do të fryjë nga drejtime të ndryshme, me dominim nga verilindja, e cila herë pas here pritet të jetë e fuqishme, veçanërisht në pjesën e dytë të javës, me shpejtësi prej 15–45 km/h.
Temperaturat minimale do të lëvizin prej 3 deri në 10°C, ndërsa ato maksimale prej 8 deri në 24°C.