Disa lagje të Prishtina vazhdojnë të përballen me ndërprerje të gjata të energjisë elektrike, duke shkaktuar vështirësi për banorët dhe probleme në komunikacion.
Sipas raportimeve, tash e gati nëntë orë pa furnizim të rregullt me energji kanë mbetur banorët në Lagjen e Spitalit dhe në zonën e Qendrës Studentore.
Ndërprerje janë raportuar edhe në rrugët “B” dhe “Muharrem Fejza”, si dhe në lagjen Dardania, që nga ora 14:00 e së dielës.
Qytetarë të shumtë kanë reaguar në rrjetet sociale, duke shprehur pakënaqësi për mungesën e energjisë dhe mungesën e informacioneve zyrtare për kohën e rikthimit të saj.
Ndërkohë, KOSTT ka bërë të ditur se shkak i ndërprerjes është një shembje dheu në rrugën “Don Shtjefën Kurti”, e cila ka dëmtuar infrastrukturën energjetike dhe ka prekur rrjetin transmetues në nivelin 110 kV.
Si pasojë, një pjesë e konsumatorëve që furnizohen nga nënstacioni Prishtina 6 kanë mbetur pa energji elektrike.
KOSTT njofton se ekipet e saj, në koordinim me KEDS-in, janë në terren dhe po punojnë për sanimin e dëmeve dhe rikthimin sa më të shpejtë të furnizimit.
Mungesa e energjisë ka ndikuar edhe në funksionimin e semaforëve, veçanërisht në zonën e Qendrës Studentore, duke shkaktuar kaos në trafik. Në këtë pjesë, qarkullimi po menaxhohet nga Policia e Kosovës.






















