Pas publikimit të lajmit për kapjen e dy personave me armë zjarri dhe fishekë në veturë në Drenas, burime të sigurta konfirmuan se bëhej fjalë për veturën e artistit të njohur Don Xhoni.

Ngjarja ka ndodhur sot, kur njësitë e Reagimit të Shpejtë kanë ndalur një veturë të tipit Land Rover, për kontroll në fshatin Poklek. Gjatë kontrollit, në fiokun e veturës është gjetur një armë zjarri e tipit “DERYA” 9x19mm dhe një karikator me 10 fishekë.

Sinjali mëson ekskluzivisht se arma në fjalë nuk i përkiste Don Xhonit, por ishte në pronësi të djalit të axhës së tij, i cili e posedon armën me leje dhe me autorizim për lëvizje drejt poligonit të qitjes.

Sipas rrethanave të sqaruara në Polici, një ditë më parë, djali i axhës së Don Xhonit kishte përdorur veturën e tij dhe kishte harruar armën në fiokun e mesit.

Artisti, i cili të nesërmen, pra sot,  ka dalë me veturë, nuk ka qenë në dijeni për praninë e armës dhe e ka kuptuar vetëm në momentin kur Policia e ka ndaluar për kontroll.

Në një prononcim për Sinjalin, Don Xhoni ka deklaruar: “Policia ka qenë shumë korrekte dhe profesionale gjatë gjithë trajtimit. Jam shoqëruar në stacion ku kam sqaruar të gjitha rrethanat. Më pas ka ardhur edhe djali i axhës, pronari i armës dhe ka dhënë deklaratën e tij. Gjithçka është sqaruar.”

Artisti ka falënderuar Policinë për korrektësinë dhe qasjen profesionale në këtë situatë, duke theksuar se nuk ka pasur asnjë keqkuptim dhe rasti është sqaruar plotësisht.

Ndërkohë, rasti mbetet i hapur për procedura të mëtejme ligjore ndaj pronarit të armës, ndërsa Don Xhoni është liruar menjëherë pas sqarimeve dhe nuk është subjekt i ndonjë mase penale.

Sinjali do të vazhdojë të sjellë çdo zhvillim të ri në lidhje me këtë çështje.

Related Posts