NATO po shqyrton një ndryshim drejt një përgjigjeje më të vendosur ndaj operacioneve kibernetike, sabotimit dhe shkeljeve të hapësirës ajrore të Rusisë, tha zyrtari i lartë ushtarak i aleancës për ”Financial Times”, admirali Giuseppe Cavo Dragone, i cili kryeson Komitetin Ushtarak të NATO-s.

Ai shtoi se aleanca po rivlerëson mënyrën se si përballet me kërcënimet hibride që janë intensifikuar në të gjithë Evropën.

“Ne po studiojmë gjithçka… Në lidhje me kibernetikën ne jemi duke reaguar shpejt. Të qenit më agresivë… është diçka për të cilën po mendojmë”, tha Dragone për FT.

Ai gjithashtu sugjeroi që një “sulm parandalues”, në disa rrethana, mund të shihet si “veprim mbrojtës”, ndërsa vuri në dukje se një qasje e tillë është “më larg mënyrës sonë normale të të menduarit dhe sjelljes”.

Vendet evropiane janë përballur me një sërë incidentesh hibride vitet e fundit – duke përfshirë sulme kibernetike, sabotim të dyshuar të lidhur me Rusinë dhe raste të përsëritura të dëmtimit të infrastrukturës nënujore në detin Baltik.

Ndërsa disa anëtarë të NATO-s, veçanërisht në Evropën Lindore, kanë kërkuar një qëndrim më të ashpër, Dragone tha se çdo ndryshim kërkon shqyrtim të kujdesshëm të kufijve ligjorë dhe juridiksionalë.

“Të qenit më agresiv krahasuar me agresivitetin e homologut tonë mund të jetë një mundësi. Çështjet janë korniza ligjore, korniza juridiksionale, kush do ta bëjë këtë?” tha ai.

Dragone theksoi misionin ”Baltic Sentry” të NATO-s si një shembull të parandalimit të suksesshëm.

Operacioni vendosi anije, avionë dhe dronë detarë aleatë për të monitoruar infrastrukturën kritike në detin Baltik pas incidenteve të shumta të prerjes së kabllove në 2023 dhe 2024.

“Që nga fillimi i ‘Baltic Sentry’, asgjë nuk ka ndodhur. Pra, kjo do të thotë që ky parandalim po funksionon”, i tha ai FT.

Shqetësimet mbeten, megjithatë, pasi një gjykatë finlandeze rrëzoi një çështje që përfshinte ”Eagle S” – një anije e lidhur me Rusinë e dyshuar për dëmtimin e disa kabllove nënujore të energjisë elektrike dhe të dhënave – sepse incidenti ndodhi në ujëra ndërkombëtare.

Ministrja e Jashtme e Finlandës, Elina Valtonen, pranoi për FT se kjo në fakt u jep anijeve ruse liri veprimi në ujëra të tilla.

Ajo shtoi se të bëhesh më i vendosur është duke u shqyrtuar, por paralajmëroi se aleatët “nuk duhet të jenë histerikë” dhe duhet t’u “besojnë” kornizave ekzistuese të reagimit.

Dragone tha se sfida qendrore për NATO-n është përcaktimi se si të parandalojë sulmet hibride në të ardhmen.

Related Posts