Drejtësia nuk ua sheh reklamat.
Nuk mbrohet bre njeriu me reklama.
Drejtësia nuk është performancë artistike, nuk është instalacion;
Nuk është emocion.
Sepse, vet Zonja, që simbolizon Drejtësinë, i ka sytë e mbyllur me shami.
Reklamohu sa të duash.
Drejtësia nuk të sheh.
I ka sytë e mbyllur Lady Justice, sepse nuk ndikohet nga reklama, nga pushteti politik, nga pasuria…nuk emocionohet, është objektive. Lyp veç fakte.
Prandaj, kot harxhon ti pare në reklamimin e patriotizmit, sepse askush nuk po gjykohet për patriotizëm.
Kujt po ia reklamon Thaçin, Krasniqin, Veselin e Selimin!
Ne i njohim. Mos u bëni telashe për neve!
Nëse ia reklamoni Hagës, ‘asaj’ nuk i bëhet vonë se çka ndjen ti.
Atyre nuk u duhet reklama, por faktet, mbrojta.
E mbrojtje me reklama nuk ka.
Ata nuk janë produkt në shitje.
Kur e reklamon dikë, e bën për t’ia rritur çmimin.
Askush nuk po lyp me ble patriotizëm. Në qofshin patriotë, janë për vete.
A po i mbron PDK-ja njerëzit e saj nga populli apo nga Drejtësia?
Sepse nëse i mbron nga Drejtësia, duhen fakte e jo reklama për mobilizim sentimental.
PDK-ja e ka bë Kosovën Galeri ku reklamohet vuajtja e shqiptarëve, në vend se të bëhej Libër konkrete me padi kundër Serbisë.
Vuajtjet nuk reklamohen, por për to kërkohet Drejtësi.
Drejtësinë nuk e sjell emocioni, por faktet.
I sheh ti, dalin në konferenca, i bëjnë thirrje politike (me gojë) Gjykatës Specialie ta gjykojnë Daçiqin e Vuçiqin, në vend se konkretisht të deponojnë në Gjykatë padi me fakte e me dëshmitarë kundër këtyre kriminelëve serbë.
A është e mundur që jemi kaq të paditur!
Me instalacione e me reklama e mbrojnë luftën e UÇK-së në Kosovë, kurse Ata gjykohen në Hagë.
Çka ju ndihmon nëse Lirisë ia ngjet emrin Jakup.
Kujt i ndihmon personalizimi i Lirisë!
Askujt.
Liria nuk ka fytyrë njeriu.
Është pa emër, e bukur si trëndafili, sepse është e të gjjthëve.
Kush e ka mendjen të kërkojë Drejtësi për viktimat shqiptare të gjenocidit dhe shfarosjes, këtë e bën me padi kundër Serbisë, e jo me reklama e me lamentime.
Urdhëro mbaje edhe një koncert me valle për ta. Më palidhje s’bëhet.
PDK mund ta padis sot Serbinë për vrasjen e 1400 fëmijëve shqiptarë, për shfarosjen e qindra familjeve shqiptare, për dëbim e për gjenocid.
Por nuk e bën, sepse e ka gajlen te Hashim Thaçit e të Kadri Veselit, të cilët ‘i ruan’ me reklama nga populli.
Është tragjedi e madhe që viktimat e gjenocidit serb sot ‘përdoren’ për të mbrojtur Individë, në vend se të kërkohet Drejtësi për to.
Kush po ju ndal të kërkoni Drejtësi?
Është kaq e dhimbshme se si Liria i ka çoroditur shqiptarët.
Ua ka humbur rrugën në oborr.
Sot m’u robëru (‘mo Zot) shqiptarët kthjellen menjëherë.
Prandaj shqiptarëve gjithmonë u ndodh ‘Repriza e Lirisë’ (TD).
P.S. Në Shqipëri, nuk u mjafton NATO që e kanë, dhe janë vet në NATO….se UÇK-ja për Edi Ramën më e fortë, kryn punë më shumë.
Edi Rama ashiqare po e përdor UÇK-në për ta mundur Lulzim Bashën në zgjedhje….
qetësohu ti djalë se nuk varesh nga votat e shqiptarëve të Kosovës.
Lulzim Basha akuzohet se e ka fshehur kasetën e masakrës së Krushës.
Por nuk mërzitet, hesht.
Heshtja është arroganca më e madhe.
Është forma më agresive-pasive e të shprehurit. Duhet luks i madh për të heshtur.
Se a ia ‘financon’ kush Lulzim Bashës heshtjen dhe sekretet, Zoti e ditt.
Jo veç UNMIK, që e ka trajtuar Lulzim Bashën si ‘llepotan’ special, i ka dhënë zyre të veçantë, e sende-vende, por në përgjithësi (edhe Serbia) bën dallim mes shqiptarëve të Kosovës dhe Shqipërisë, ata të Shqipërisë u duken më përparimtarë, pra popull jopatriotik.
Prandaj, jam shumë kureshtare ta shoh se si UÇK do t’ia jap mandatin e tretë Edi Ramës!
Edi Rama nuk lufton vet, gjithmonë i huazon do ‘ushtri’ m’i nxjerr prej situatës. Mirë ia bën. Por, asnjë ushtri nuk po ia ftoh gjakun.
Frika e tij nga humbja është aq e madhe, sa veç ideja se Lulzimi është ‘tradhtar’, kurse UÇK-në e ka pranë vetes, po e avit pak.
Nëse e do kaq shumë UÇK-në, ti si Edi Ramë shumë lehtë e ke, se je edhe qytetar nderi i Skënderajit…inicoje një padi kundër Serbisë për gjenocid ndaj familjes Jashari.
Dashuria nuk është fjalë. Madje as poezi nuk është. Se poezia i shet mend dashurisë.
Është veprim konkret. Dashuria është vepër.
Çu n’guxofsh mbroji viktimat ndër varre, se kollaj m’i mbrojt jaranat t’u milionera, se ata kanë edhe avokatët milionera.
Dhe edhe nga burgu çojnë miliona për ta reklamuar veten.
Apo ndoshta edhe ti je paguar për reklamë.
VIP-i i thivt.