S’i ka dy ditë që prejse komuna e Podujevës, gjegjësisht nënkryetari Nexhmi Rudari, i shoqëruar edhe nga ministri i MPB-së, Agim Veliu “përuruan” një pjesë të ndriçimit në sheshin që dështoi së ndërtuari dy herë radhazi në këtë komunë, shkruan Llapi.info.
Ky ndriçim i këtij sheshi bëri bujë në gjithë Kosovën, madje duartrokitjet e qytetarëve të thirrur nga institucionet komunale, u bënë për tallje nëpër të gjitha rrjetet sociale.
Tallja shkojë deri në atë pikë, sa që dolën kreativitete për të qëndruar disa ditë në këtë komunë, dalje në sheshin e këtij qytetit, ashtu siç janë ofertat për zona turistike.
“Oferta për në Podujevë. 2 netë/3 ditë duke filluar nga 290 euro për person. Vizitoni Podujevën, realizoni ëndrrën tuaj”, ishte tallja që u shpërnda nëpër gjitha rrjetet sociale.
Kreativitet shkojë aq larg, saqë “mrekullia e tetë e botës” u rendit sheshi me ndriçim dhe semaforët e vonuar.
“Arrijnë turistët e parë aziatikë në qendrën e re të Ballkanit, Podujevë, thonë se kaq ndriçim s’kanë parë as në Japoni”, ishte tallja tjetër që bëri bujë në Kosovë.
Por, ky ndriçim s’qëndroi edhe shumë. Gjatë natës së mbrëmshme, e po ashtu edhe sonte këto dritat në këtë shesh nuk janë duke funksionuar, e arsyet s’po i di kush.
Në anën tjetër, ndërtimi i këtij sheshi në Podujevë u përcolla me zhurmë të madhe. Ndërtimi i tij dështoi për dy vite radhazi. Opozita thoshte se kjo është bërë me qëllim që të lihet sa më afër zgjedhje në këtë komunë. Ndërkaq, punimet në këtë shesh kanë filluar më 20 janar të këtij viti./Llapi.info