Këngëtarja shqiptare me famë botërore, Dua Lipa, ishte një nga yjet më të komentuara të “Met Gala 2025”, ku u shfaq me një fustan mahnitës të zi nga Chanel.
Pamja e artistes, e frymëzuar nga eleganca vintage, përfshinte një korse të zbukuruar me gurë të çmuar dhe një fund me pupla, duke krijuar një kombinim të përsosur mes klasikës dhe risisë në përputhje me temën e këtij viti “Tailored For You”.
Këngëtarja hoqi pelerinën transparente para kamerave në hyrje të muzeut Metropolitan, duke zbuluar pjesën e sipërme të ngushtë me jakë të lartë të fshehur nën një bolero të dekoruar, çka shtoi një efekt dramatik dhe të sofistikuar në daljen e saj, shkruan “Vogue”.
Për pamjen e saj të flokëve, Lipa zgjodhi një topuz të lëmuar dhe të skulpturuar që harmonizohej me teksturat e fustanit, ndërsa një grim minimalist dhe bizhuteri të rafinuara e përforcuan më tej pamjen e saj.
Në një moment të veçantë për jetën e saj personale, Dua u shfaq për herë të parë në tapetin e kuq me të fejuarin, aktorin britanik Callum Turner, i cili ishte veshur me një kostum të personalizuar nga Louis Vuitton.
Debutimi i tyre si çift i fejuar në një event kaq të madh tërhoqi vëmendjen e publikut dhe mediave.




