Këngëtarja shqiptare me famë botërore, Dua Lipa, dhe aktori, Callum Turner, janë duke përgatitur në fshehtësi dasmën e tyre, pasi shpallën fejesën vitin e kaluar.
Sipas një burimi për rubrikën Bizarre të The Sun, përgatitjet janë në kulm, por gjithçka po mbahet larg vëmendjes së publikut.
“Planet janë në zhvillim të plotë për dasmën e Duas dhe Callumit, por gjithçka po mbahet shumë diskrete. Dasma do të zhvillohet këtë verë, ajo do të jetë e martuar para se të mbushë 31 vjeç në muajin gusht”, ka thënë burimi.
Çifti thuhet se dëshiron një ceremoni të vogël dhe të ngrohtë, vetëm me njerëzit më të afërt.
“Ata duan të kenë pranë vetëm njerëzit e tyre më të dashur, ndaj nuk do të jetë një ngjarje e madhe apo luksoze”, ka shtuar burimi.
Ani pse Lipa është mike me emra të njohur si Elton John, Olivia Dean dhe Mark Ronson, dasma nuk pritet të jetë e mbushur me yje.
“Do të jenë njerëzit e tyre të preferuar, por mund të ketë mungesa të befasishme. Disa persona që mendonin se do të merrnin ftesë plus një, janë njoftuar se nuk do të jetë e mundur”, u shpreh burimi.
Lipa dhe Turner konfirmuan zyrtarisht fejesën e tyre në një intervistë për British Vogue, pas shumë spekulimeve për lidhjen.
“Po, jemi të fejuar. Është shumë emocionuese. Vendimi për t’u plakur bashkë, për të ndërtuar një jetë dhe për të qenë miqtë më të mirë përgjithmonë është një ndjenjë shumë e veçantë”, ka thënë ajo në atë kohë.
Më vonë, në një intervistë për Harper’s Bazaar, këngëtarja u shpreh se është “më e lumtur se kurrë”.
“E dua dashurinë. Është diçka shumë e bukur dhe frymëzuese. E ndjen veten duke rënë në dashuri vazhdimisht, në mënyrën më të bukur të mundshme. Kjo ndjeshmëri është e frikshme, por ndihem me fat që e përjetoj. Kam kaluar shumë kohë duke mbrojtur veten, por tani po e lë veten të lirë dhe po e pranoj dashurinë”, pati thënë ajo.






















