Trajneri i Milanit, Massimiliano Allegri, ka folur për “SportMediaset” në prag të ndeshjes së Kupës së Italisë kundër Lazios, duke ndalur vëmendjen edhe te mesfushori Ardon Jashari.
Jashari, i cili ka munguar që nga 23 gushti për shkak të një lëndimi në stërvitje, mund të rikthehet më në fund në lojë të enjten në “Olimpico”, në duelin që nis nga ora 21:00.
Mesfushori 23-vjeçar, që përfaqëson Zvicrën dhe u transferua këtë verë nga Club Brugge për 36 milionë euro, pritet të marrë minuta pas një periudhe të vështirë jashtë fushës.
Allegri u shpreh se ndeshja ndaj Lazios do të jetë një test i rëndësishëm për të kuptuar gjendjen aktuale të lojtarit.
“Më pak është çështje cilësish teknike dhe më shumë një rast për ta vlerësuar fizikisht. Kur u transferua, kishte qenë një muaj e gjysmë jashtë. Luajti vetëm 45 minuta dhe më pas mungoi edhe dy muaj të tjerë. Jam shumë kurioz të shoh nivelin e tij fizik”, deklaroi ai.
Në sezonin e kaluar, Jashari spikati te Club Brugge, ku fitoi disa çmime individuale dhe u konsiderua një nga lojtarët më të mirë të kampionatit belg, gjë që e bëri një nga blerjet më premtuese të Milanit këtë verë.



























