Një incident i rëndë i sigurisë në punë është raportuar sot në rrugën “Skënderbeu” në Gjilan, ku dy punëtorë të kompanisë KEDS janë lënduar si pasojë e goditjes nga rryma elektrike.

Sipas informacioneve të siguruara nga Sinjali, rreth orës 13:30 në repartin emergjent janë dërguar E. Q. dhe I. R. të cilët kanë pësuar lëndime trupore gjatë kryerjes së detyrave të tyre të punës.

Gjatë ndërrimit të njehsorëve elektrikë, punëtori Q. është përfshirë nga rryma elektrike, duke pësuar dëmtime në dorën e majtë. Njësoj, punëtori tjetër R. ka marrë lëndime në krahun e djathtë, gjithashtu të shkaktuara nga goditja e rrymës.

Në vendin e ngjarjes kanë dalë NJHK dhe krim-teknika për ekzaminimin e rrethanave, ndërsa janë njoftuar edhe inspektorët e punës, të cilët do të vlerësojnë shkeljet eventuale të standardeve të sigurisë.

Pas konsultimit me Prokuroren kujdestare, rasti është kualifikuar si: “Asgjësim, dëmtim ose heqje e pajisjeve mbrojtëse”, dhe “Rrezikim i sigurisë në vendin e punës”.

Hetimet janë duke u zhvilluar nga Njësia për Hetimin e Krimeve.

Related Posts