Autoriteti i Konkurrencës është duke shqyrtuar mundësinë e marrjes së masave të përkohshme për operatorët ekonomikë, që kanë rritur çmimin e bukës, për një periudhë 6-mujore.
Zyrtarë nga ky institucion thonë për Radio Kosovën se ekzistojnë dyshimet që bizneset me marrëveshje i kanë ngritur çmimet. Ndërkohë, qytetarët ankohen që xhepi i tyre po varfërohet çdo ditë nga ngritjet e çmimeve
Shtrenjtimi i çmimit të rrymës, ka bërë që çmimet pothuajse në të gjithë sektorët, përfshirë edhe ata bazik siç është buka, të rriten. Këtë e pohojnë qytetarë të cilët çdo ditë janë blerës të rregullt, e që në prononcim për Radio Kosovën, thonë se çdo ditë jeta për ta po bëhet më e vështirë.
“Çmimet katastrofë. Sa e ke blerë një bukë përpara? E kam blerë 50 centë, tash e blej 70 centë e as 400 gramë nuk i ka. Këto çmime e rëndojnë jetën time, jetoj më pension, i kënaqur nuk jam, krejt fukarallëk, 5 euro është bërë një pjatë pasul me hangër”, është shprehur qytetari.
Si ky qytetar i lagjes “Arbëria” të Prishtinës ka edhe shumë të tjerë që ankohen për rritjen e çmimeve kohën e fundit, në veçanti atyre bazike siç është buka.
Duke parë gjendjen në terren, Autoriteti i Konkurrencës ka nisur një analizë për të parë gjendjen në terren në komunat e Kosovës. Duke folur për Radio Kosovën, inspektori i Konkurrencës, Albion Rexhepi thotë se ekziston dyshimi që në disa furra në Prishtinë dhe Gjakovë, furrtarët kanë bërë marrëveshje të jashtëligjshme, duke u bërë kartelë për shtrenjtësim të çmimit të bukës.
“Kartelet janë zbuluar në rastin konkret në Prishtinë p.sh. ku është ngritur çmimi i bukës nga 50 centë në 60 centë, byreku nga 1.20 në 1.50 centë, ndërsa në Gjakovë buka ka qenë 60 centë tash është 70 centë. Marrëveshja përveçqë ka shkelje të Ligjit të Konkurrencës, ka pasur edhe një lloj inspektimi nga iniciatorë nëpër furra të ndryshme. Pra, vetë iniciatorët e kartelit kanë shkuar në furra të ndryshme të Gjakovës për të kontrolluar se a po zbatohet marrëveshja të cilën e kanë arritur.
Rexhepi tutje thekson se janë duke shqyrtuar mundësinë e marrjes së masave ndaj operatorëve që kanë bërë këto shkelje.
“Do të ishte e rënd për furrtarin nëse pëson gjobë. Gjobat e Autoritetit të Konkurrencës mund të shkojnë deri në 10 për qind të qarkullimit vjetor e ato gjoba mund ta falimentojnë një ndërmarrje sidomos të vogël. Jemi duke shqyrtuar mundësinë e marrjes së masave të përkohshme, e që nënkuptojnë mbylljen e një operatori ekonomik, për arsye se mund të bëjë dëmtime të konkurrencës me dëme të pariparueshme”, ka shtuar Rexhepi.
Ndryshe, duke u bazuar në të dhënat e Agjencisë së Statistikave të Kosovës, në vitin 2022 çmimi i bukës ka arritur në 49 centë. ASK-ja nuk ka publikuar çmimet mesatare të bukës për vitin 2023 dhe 2024.