Shpesh shumë të gjalla dhe shqetësuese, ëndrrat ku partneri të tradhton janë aspak të këndshme, dhe ekzistojnë disa arsye kryesore pse i sheh vazhdimisht
A të ka ndodhur të zgjohesh nga një ëndërr aq reale, saqë të duhen disa sekonda për të kuptuar se ishte vetëm ëndërr dhe për t’u kthyer në realitet? Kjo është veçanërisht e vërtetë kur ëndërron se partneri të tradhton, këto ëndrra janë aq të gjalla sa të zemërojnë, edhe pse partneri yt nuk ka bërë asgjë.
Por çfarë kuptimi ka të ëndërrosh se partneri të tradhton dhe pse mendimet nuk të lënë rehat pas zgjimit? Sipas interpretes së ëndrrave Lauri Quinn Loewenberg, e cila foli për Bustle, tradhtia e partnerit është një nga pesë ëndrrat më të shpeshta që raportojnë klientët e saj. Edhe pse mund të jenë shqetësuese, këto ëndrra shpesh zbulojnë probleme në marrëdhënie që ndryshe mund të kalonin pa u vënë re.
Kjo është arsyeja pse “analizimi” i tyre mund të jetë i dobishëm. Loewenberg thekson se ëndrrat shërbejnë si një udhërrëfyes për çdo pjesë të jetës suaj dhe tregojnë çfarë nuk po funksionon, çfarë duhet të ndërmerrni dhe çfarë të shmangni. Ajo thotë se duhet t’i shohim ëndrrat si një “tru të dytë” – më i sinqertë se mendja jonë e zgjuar. Nëse ëndërron se partneri të tradhton, përdore si shenjë për të biseduar me partnerin, për të zbuluar shkakun dhe për të gjetur mënyra si të ndihesh më mirë. Dhe nëse këto ëndrra nuk pushojnë, ka disa arsye të zakonshme pse i sheh. Ja pesë më kryesoret.
Sipas Loewenberg, kjo është arsyeja më e mundshme. Nëse ëndërron shpesh tradhtinë, ndoshta ndihesh e pasigurt në marrëdhënie ose frikësohesh se partneri do të gjejë dikë “më të mirë”. Pyete veten nëse kjo është diçka që të brengos – mendon se marrëdhënia juaj mund të mos funksionojë më? Apo ke frikë se partneri nuk është i lumtur? Nëse po, këto shqetësime mund të shfaqen gjatë gjumit si ëndrra për tradhti. Nuk është e lehtë të pranosh pasiguritë, aq më pak të flasësh për tradhti, por një bisedë e hapur me partnerin mund të sjellë më shumë besim dhe mbështetje dhe më pak ëndrra të tilla.
2. Ke qenë e tradhtuar më parë
Nëse partneri yt të ka tradhtuar një herë, ëndrrat e tilla mund të tregojnë se besimi ende nuk është rindërtuar plotësisht. Edhe nëse dikush tjetër të ka tradhtuar në të kaluarën, mund të frikësohesh se historia do të përsëritet. Terapeutja e marrëdhënieve Katie Ziskind thotë se ëndrrat shpesh bazohen në frikën dhe ankthin e përvojave negative të mëparshme që nuk duam t’i përjetojmë sërish. Edhe nëse je në një lidhje të lumtur tani, ky frikë mund të jetë ende diku i pranishëm. Nëse ëndrra përsëritet vazhdimisht, ia vlen të reflektosh mbi ndikimin që ka pasur tradhtia në jetën tënde, në mënyrë që së bashku me partnerin të krijoni më shumë siguri brenda lidhjes.
3. Ekziston “dikush i tretë” në marrëdhënien tuaj
Edhe kur partneri nuk ka askënd tjetër, mund të kesh përshtypjen se diçka ose dikush po hyn mes jush. Mund të jetë një mik i tij, puna, telefoni, hobi i ri, çdo gjë që të bën të ndihesh “e lënë anash”, sikur partneri nuk të kushton mjaftueshëm kohë dhe vëmendje. Në këtë rast, ëndrra është një mesazh nga nënvetëdija jote se ndihesh disi e vetmuar, e anashkaluar ose se raporti juaj është i paekuilibruar. Sërish, zgjidhja është biseda me partnerin për ndjenjat e tua dhe rivendosja e përparësive në marrëdhënie.
4. Nuk i beson plotësisht
“Ëndrrat janë metafora, dhe ëndrra e tradhtisë simbolizon humbjen e besimit”, shpjegon terapeuti Michael Ceely. Pyete veten: në cilat fusha të marrëdhënies suaj nuk ka besim të plotë? A ndihesh e pasigurt për financat, familjen, të ardhmen, përgjegjësitë? Nëse keni vështirësi t’i besoni njëri-tjetrit, ndershmëria dhe një komunikim më i hapur mund t’ju ndihmojnë të rindërtoni besimin dhe sigurinë.
5. Dyshon se të tradhton në të vërtetë
Lajmi i mirë është se tradhtia në ëndërr shumë rrallë tregon tradhti reale. Këto ëndrra shfaqen edhe në marrëdhëniet më të sigurta. Por nëse përsëriten gjatë dhe asnjë nga arsyet e mësipërme nuk të përket, atëherë shtrohet pyetja: a po ndodh diçka në realitet? Loewenberg thotë se është e lehtë të injorosh shenjat: partneri e fsheh telefonin, del më shpesh, është më i tërhequr, më i mbyllur. Ndodh sepse nuk duam të përballemi me dyshimet tona. Gjatë gjumit, emocionet kontrollohen më pak dhe nënvetëdija sjell në sipërfaqe atë që nuk guxojmë ta pranojmë kur jemi zgjuar.

























