Në Shtetet e Bashkuara ka nisur votimi i asaj që konsiderohet si e ‘Marta e madhe’ e zgjedhjeve presidenciale. Kutitë u hapën në orën 05:00 të mëngjesit me orën lokale dhe do të qëndrojnë të hapura maksimalisht në disa shtete deri në 21:00, si në rastin e New York-ut, orar pas të cilit pritet të nisë numërimi dhe të dalin rezultatet e para.
Për të zgjedhur mes demokrates Kamala Harris dhe republikanit Donald Trump, të drejtë vote kanë rreth 244 milionë amerikanë mbi 18 vjeç. Megjithatë, mbi 82 milionë amerikanë kanë ushtruar deri më tani të drejtën e tyre të votës në zgjedhjet e hershme që nisën 10 ditë më parë. Kjo shifër përbën më shumë se gjysmën e totalit të pjesëmarrësve në presidencialet e 2020-ës.
Rezultatet e para të kësaj të Marte kanë dalë në fshatin Dixville Notch në New Hampshire aty, ku sipas traditës hapen kutitë e para të votimit e ku vetëm 6 banorë kanë të drejtë vote. Pas numërimit të votave, 3 banorë votuan Trump-in dhe 3 të tjerë Harris, një tjetër tregues për rezultatin e ngushtë dhe të paparashikueshëm të kësaj gare.
Në kryeqytetin Washington, pronarët e bizneseve po përforcojnë vitrinat e dyqaneve nga frika e trazirave nga mbështetësit e Donald Trump-it si në 6 Janar të 2021-shit, siç është përfolur gjerësisht në media nëse kandidati republikan humbet zgjedhjet dhe nuk pranon rezultatin. Kongresi është rrethuar me rrjeta teli.