Një ngjarje e rëndë ka ndodhur dje në Pejë, ku një grua është gjetur e vdekur brenda një objekti të braktisur në rrugën “Mehmet Akif”.

Sinjali mëson se viktima është F. D rreth 42-vjeçare, e cila është gjetur e shtrirë në dysheme në një nga kthinat e objektit.

Trupi i pajetë është zbuluar nga dy qytetarë, të cilët menjëherë kanë njoftuar Policinë.

Në vendngjarje kanë dalë patrullat policore dhe emergjenca, ku mjeku kujdestar ka konstatuar vdekjen e saj, duke theksuar se nuk janë parë shenja të dukshme dhune në trupin e viktimës.

Zona është rrethuar me shirita policorë, ndërsa aty kanë mbërritur edhe hetuesit, krimteknikët e SP Pejë, Sektori Rajonal i Hetimeve dhe Prokurori i Shtetit.

Me urdhër të Prokurorit, trupi i pajetë do të dërgohet në Institutin e Mjekësisë Ligjore në Prishtinë, ku do të kryhet obduksioni për të përcaktuar shkaqet e sakta të vdekjes.

Rasti është regjistruar si “Hetim i vdekjes”, ndërsa hetimet janë në vijim.

Related Posts