Një operacion i zhvilluar nga Drejtoria Kundër Terrorizmit, me mbështetje të njësive të tjera relevante dhe nën koordinim të Prokurorisë Speciale, ka çuar në arrestimin e dy personave të dyshuar për vepra që lidhen me terrorizmin.

Gazeta Sinjali ka mësuar ekskluzivisht se të arrestuarit janë vëllezërit Denis Bytyqi, 25 vjeçar dhe Enis Bytyqi, 32 vjeçar.

Dyshja dyshohen për përfshirje në dy vepra penale të rënda: “Nxitja e përçarjes dhe mosdurimit” – neni 141 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK); “Bashkimi apo pjesëmarrja në ushtrinë ose policinë e huaj, në formacionet e jashtme paraushtarake apo parapolicore…” – neni 3, paragrafi 4 i Ligjit nr. 05/L-002 për ndalimin e bashkimit në konflikte të armatosura jashtë territorit të Kosovës.

Operacioni është realizuar më 1 maj 2025, me bastisje në shtëpinë e të dyshuarve. Gjatë kontrollit janë sekuestruar: Pajisje elektronike të ndryshme që dyshohet se përmbajnë materiale të ndaluara; Flamuj me mbishkrime arabe, që sipas burimeve nga hetuesit përdoren nga organizata terroriste ISIS.
Pas intervistimit në prani të Prokurorit të Prokurorisë Speciale, të dyshuarit janë ndaluar për 48 orë, ndërsa hetimet janë në fazën intensive të analizimit të materialeve të sekuestruara dhe ndërlidhjes me struktura të mundshme ekstreme.

Related Posts