Publikimi i videove e fotove të ndryshme në rrjete sociale shpesh po i fut kosovarët në sherr me Policinë. Ata jo rrallëherë dalin të jenë merakli të mbajtjes së armëve, kryesisht pa leje dhe me ekspozimin e tyre në rrjete sociale, tentojnë të shfaqen si të “fortë” dhe të pakapshëm për organet e rendit, raporton Gazeta Sinjali.

Kështu, një video e siguruar nga denoncuesi ka zbuluar mbajtjen e armëve pa leje në Malishevë.

Sinjali mëson se M. H., rreth 22-vjeçar, ka dorëzuar në polici një incizim, ku shiheshin persona të armatosur duke hyrë në oborrin e shtëpisë së tij malore në fshatin Shkozë.

Pas hetimeve, policia identifikoi dhe arrestoi dy kushërinjtë Gezim Bytyqi, rreth 33-vjeçar dhe Fitim Bytyqi, rreth 26-vjeçar, të cilët pranuan se më 24 gusht kishin mbajtur armë: një kallashnikov AK-47 dhe një pushkë gjuetie. Armët janë sekuestruar si prova.

Me urdhër të Prokurorit të Shtetit, është iniciuar procedurë penale për “Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”. Dy të dyshuarit janë liruar, ndërsa rasti do të ndiqet në procedurë të rregullt.

Shënim: Personi i apostrofuar në këtë artikull prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.

Related Posts