Në një intervistë ekskluzive për redaksinë tonë, regjisori i njohur turk Murat Vela Derman ka zbuluar detaje të reja për filmin e tij të ardhshëm artistik, që trajton jetën e Faton Hajrizit  një i ri shqiptar që, sipas dëshmive, u përball me burgim të padrejtë dhe dhunë sistematike gjatë regjimit serb. Filmi është aktualisht në fazën përgatitore dhe pritet të nisë xhirimet në vitin 2026.

I pyetur nga redaksia jonë se nga erdhi ideja për realizimin e këtij filmi, regjisori u përgjigj:

“Më 19 korrik 2024 ndodhesha në Kosovë. Në një natë të qetë në një fshat malor, një mik më tregoi lajmin se Faton Hajrizi ishte vrarë duke u përpjekur të kalonte kufirin serb. Ajo çast më tronditi thellësisht. E ndjeva si një thirrje njerëzore dhe artistike. Më pas zbulova se ai kishte tentuar të arratisej nëntë herë nga burgu. Nëntë arratisje,  për mua do të thotë nëntë rilindje. Ishte e qartë kjo histori duhej të bëhej film.” shtoi ai.

Regjisori shtoi se ajo natë e shënoi fillimin e një procesi të thellë reflektimi mbi njeriun, sistemin dhe të drejtat që i mohohen atij në mënyrë të padrejtë.

I pyetur për motivimin kryesor pas këtij projekti, Derman theksoi për Rilindjashqiptare:


Ajo që më shtyu më shumë ishte zemërimi ndaj padrejtësisë dhe dëshira e tij e pakufizuar për liri. Arratisja nëntë herë nga burgu nuk simbolizon vetëm guximin e një të riu, por thelbin e shpirtit njerëzor që nuk mund të mbahet i lidhur nga zinxhirët.
Për mua, ky film nuk është një biografi; ai është një manifest. Historia e Fatonit nuk është vetëm një ngjarje historike; ajo na bën të pyesim për shkeljet e të drejtave të njeriut: “Sa larg mund të shkojë një individ për lirinë e tij kur i janë marrë të drejtat themelore?” Në përpjekjet e tij shohim jo vetëm një rezistencë politike, por guximin e një fëmije që, megjithë padrejtësitë dhe torturat, sfidon zinxhirët, rikthen të drejtat e tij dhe jeton ëndrrat e tij. Në këtë aspekt universale, historia e Fatonit është simbol i mbrojtjes së të drejtave të njeriut, lirisë dhe nderit.”.

Regjisori thekson se nuk e portretizon Fatonin si hero apo viktimë, por si simbol të një gjendjeje njerëzore përtej çdo etikete.

“Unë nuk e bëj Fatonin hero; nuk e shpall të pafajshëm gjithashtu. Fajësia e tij është çështje e gjyqit; jo e imja. Interesi im është tek realitetet që ai ka përjetuar në kontekstin e të drejtave të njeriut”

Murat Vela Derman konfirmoi  se ka pasur komunikim të drejtpërdrejtë dhe të ngushtë me familjen e Faton Hajrizit. Ai tha se është nënshkruar një protokoll zyrtar për bashkëpunim, i cili mbështet shkrimin e skenarit dhe realizimin e filmit.

“Në takimin me familjen e Fatonit, nënshkruam një protokoll për të formalisht mbështetur shkrimin e skenarit dhe realizimin e filmit. Familja e tij është jashtëzakonisht e çmuar dhe njerëz të mrekullueshëm. Sidomos nëna e tij, çdo javë më dërgonte përvojat e saj me Fatonin, shkruar me dorën e saj. Gjatë këtij procesi, kuptova se gjyqtari që e gjykoi Fatonin e kishte dërguar jo në burgun e fëmijëve, por në burgun e të rriturve për kriminelë të rrezikshëm.”

Filmi ndodhet aktualisht në fazën e zhvillimit të skenarit dhe grumbullimit të dokumentacionit. Derman njofton se ekipi po shqyrton mundësitë për bashkëprodhime ndërkombëtare.

“Për mua, ky film nuk është një projekt që do të realizohet shpejt e shpejt; është një udhëtim afatgjatë. Kjo histori duhet të transmetohet duke respektuar realitetin historik, dëshmitë dhe thellësinë artistike. Shikuesit duhet të dinë: filmi po ecën me hapa të sigurt dhe çdo detaj po merret me kujdes të madh. Plani është të fillojnë xhirimet në vitin 20” theksoi regjisori.

Mesazhi që Derman dëshiron t’i përcjellë publikut është i qartë,  ky nuk është një film që përcakton heronj apo fajtorë, por një rrëfim për dinjitetin njerëzor.

“Qëllimi im nuk është të përcaktoj si do të mbahet mend Faton Hajrizi historikisht; unë dua ta tregoj nga perspektiva e tij. Filmi ofron shikuesit mundësinë të përjetojnë ngjarjet dhe përvojat më thellësisht. Përmes historisë së Fatonit, dua të nxis reflektim mbi të drejtat e njeriut, padrejtësinë dhe lirinë. Filmi lejon që shikuesi të nxjerrë përfundimet e veta dhe të diskutojë; por nuk është detyra ime të ndryshoj historinë apo të jap një gjyq. Detyra ime është të pasqyroj realitetin dhe dimensionin njerëzor me anë të artit”

Regjisori Murat Vela Derman, në këtë rrëfim ekskluziv për Rilindjashqiptare, sjell një projekt filmik që synon të kapërcejë kufijtë e një ngjarjeje historike dhe të shndërrohet në një reflektim të thellë për lirinë, të drejtat e njeriut dhe dinjitetin njerëzor.

Related Posts