Duke marrë parasysh rrugën midis Frankfurtit dhe Prishtinës, dhe vetëm dy shoferë, ky është një problem shumë i madh.
Kështu thotë eksperti kroat i komunikacionit, Goran Husinec pas aksidentit tragjik të autobusit që ndodhi në autostradën e Slavonski Brodit, duke shtuar se për një rrugë kaq të gjatë, dy shoferë janë pak.
“Secili shofer i autobusit mund të ngasë për 9 orë brenda 24 orëve, pas së cilës ka një pushim të detyrueshëm. Dhe kur bëhet fjalë për autobus, ai duhet të pushojë për 2 orë pas 21 orësh punë, por kjo nuk respektohet”, thotë Husinec.
“Kjo rrugë zgjat rreth 25 orë, duke marrë parasysh qëndrimet në kufij. Dhe me turmat kur është sezoni, një udhëtim i tillë mund të zgjasë deri në 30 orë, kështu tani merreni me mend”, shton ai.
Ai tregon se si duhet të pushojnë shoferët gjatë këtyre rrugëve të gjata.
“Zgjidhja është e thjeshtë. Duhet të sigurosh banesa, ku shoferët do të ndërroheshin dhe ata që vozisnin duhet të pushonin”, tregon ai.
Sa i përket aksidenteve në rrugë, Husinec thotë se problemi më i madh është se gjobat shkruhen por janë të vogla.
“Policia jep gjoba, por kur ishte hera e fundit që keni dëgjuar se dikush kishte paguar të njëjtën shumë”, pyet ai.
Kujtojmë se 10 persona kanë humbur jetën dhe mbi 40 të tjerë janë lënduar në një aksident trafiku sot në afërsi të Slavonski Brod të Kroacisë, kur një autobus nga Kosova doli nga rruga duke shkaktuar aksident.
Shoferi i autobusit është arrestuar dhe sipas dëshmisë së tij dhënë policisë kroate, atë në momentin tragjik e kishte zënë gjumi.
Autobusi po vinte nga Frankfurti i Gjermanisë për në Kosovë.
Në autobus ishin 69 pasagjerë.