Ambasada e ShBA-ve në Prishtinë njoftoi se janë ekstraduar në ShBA dy kosovarët, Jetmir dhe Ardit Kutleshi, të dyshuar për përfshirje në krime kibernetike dhe mashtrim.
Në një njoftim për media, Ambasada tha se dy të dyshuarit, 26 dhe 28 vjeç, do të përballen me drejtësinë në ShBA.
“Ne e vlerësojmë jashtëzakonisht shumë bashkëpunimin e vazhdueshëm të autoriteteve kosovare për asistencën e dhënë Qeverisë amerikane për këtë rast, i cili forcon përpjekjet tona të përbashkëta për t’i mbajtur të sigurta të dyja, si Kosovën ashtu edhe Shtetet e Bashkuara”, thuhet në komunikatë.
https://www.facebook.com/kosovo.usembassy/posts/1042309174594802?ref=embed_post
Më 12 dhjetor të vitit të kaluar Departamenti amerikan i Drejtësisë ka njoftuar për ndalimin e një faqeje interneti dhe tregu të jashtëligjshëm dhe arrestimin e dy administratorëve të kësaj faqeje, Rydox, të cilët janë shtetas kosovarë me inicialet A.K. dhe J.K.
Lidhur me rastin është arrestuar edhe një shtetas tjetër kosovar me inicialet Sh.S., i cili pritet të akuzohet dhe të ndiqet penalisht në Shqipëri.
Ata akuzohen që për më shumë se tetë vjet kanë kryer këtë vepër penale.