Florenc Çapja, një emër i shumëkërkuar nga drejtësia shqiptare, është ekstraduar pasditen e kësaj të premte (2 maj) nga Dubai.
44-vjeçari ka mbërritur në aeroportin e Rinasit nën masa të rrepta sigurie.
Ishte Policia e Shtetit, ajo që më herët raportoi ardhjen e të shumëkërkuarit nga Prokuroria e Posaçme dhe Gjykata kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar të kreut të bandës së “Çapjave”.
Ai është ekstraduar dhe është shoqëruar nga forcat operacionale të Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve, të cilat kanë marrë në dorëzim Çapajn.
Çapja ishte në kërkim për disa krime, të cilat dyshohet se i ka urdhëruar apo kryer në 20 vitet e fundit, mes të cilave vrasja e Nezir dhe Gentjan Beqirit në vitin 2012.
Çapja, ndaj të cilit ka një vendim gjyqësor për dënim të përjetshëm, ndodhej në Dubai prej rreth 7 vitesh ku jetonte i pa shqetësuar.
44-vjeçari është i dyshuar edhe për një sërë veprash penale, mes tyre porosi vrasjeje dhe përfshirje në aktivitete kriminale që shtrihen përtej kufijve të Shqipërisë.