Një prej talenteve më premtuese të volejbollit kosovar, Era Elezaj, ka bërë hapin më të madh në karrierën e saj të re sportive. Vetëm 16-vjeçare, Elezaj ka arritur marrëveshje me gjigandin turk “Kuzeyboru”, klub që garon në njërën prej ligave më të forta të Evropës.

Rrugëtimi i saj nisi në qytetin e lindjes, Pejë, tek ekipi “Suti Sport”, ku me përkushtimin e trajnerëve dhe talentin e lindur, ajo u formua si një prej volejbollisteve më të spikatura të gjeneratës së saj. Qysh në vitin e parë, Elezaj kontribuoi që skuadra e saj të shpallej kampione me të gjitha gjeneratat.

Ambiciet për t’u sfiduar më shumë e sollën në Superligën A, ku përfaqësoi me sukses klubin aktual gjatë sezonit 2024/25. Me shtatlartësinë e saj dhe titujt e fituar (Kampione U16, U18 dhe nënkampione U21), Elezaj tregoi nivel të lartë loje, ndonëse nuk gjeti vend te Kombëtarja e Kosovës U19 – as në listën përfundimtare dhe as në listën e gjerë.

Megjithatë, vlerësimi nuk mungoi nga jashtë kufijve. Ekspertë të volejbollit evropian vunë re talentin e saj, duke sjellë disa oferta konkrete, ndër to edhe nga “Kuzeyboru”, me të cilin ajo tashmë ka nënshkruar marrëveshjen.

Ky transferim shënon një arritje të madhe për volejbollin kosovar dhe një mundësi të artë për një prej talenteve më të reja të vendit.

Klubi dhe komuniteti sportiv i urojnë Era Elezajt shumë suksese në rrugëtimin e ri profesional. /RilindjaShqiptare/

Related Posts