Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, dhe ai i Rusisë, Vladimir Putin, kanë shprehur nevojën për më shumë diplomaci për zgjidhjen e konfliktit në veri të Sirisë, gjatë një bisede telefonike që zhvilluan më 3 dhjetor pas rinisjes së luftimeve.
Sipas njoftimit për media të lëshuar nga zyra e Erdoganit, udhëheqësi turk tha se Siria nuk duhet të shndërrohet në burim të paqëndrueshmërisë së madhe.
“Presidenti Erdogan theksoi se përderisa Turqia vazhdon të mbështesë integritetin territorial të Sirisë, po ashtu kërkon një zgjidhje të drejtë dhe të përhershme në Siri”, i tha Erdogan Putinit gjatë bisedës telefonike, tha zyra e udhëheqësit turk në një njoftim të publikuar në X.
Ai po ashtu tha se është e rëndësishme të hapen më shumë hapësira për diplomaci në rajon dhe se regjimi sirian duhet të angazhohet në procesin e zgjidhjes politike.
Erdogan është zotuar se Turqia do të mbajë qëndrimin e saj sa i përket luftës kundër Partisë së Punëtorëve të Kurdistanit (PPK), që është shpallur organizatë terroriste nga Turqia dhe Shtetet e Bashkuara dhe “zgjatimeve” të saj që po tentojnë të përfitojnë nga zhvillimet e fundit në Siri, u tha në njoftim.
Erdogan dhe Putin zhvilluan këtë bisedë telefonike në kohën kur rebelët sirianë po avancojnë kundër forcave qeveritare, pasi morën nën kontroll Alepon javën e kaluar. Më 3 dhjetor, rebelët i janë afruar qytetit Hama, thanë rebelët dhe Vëzhguesi sirian për të Drejtat e Njeriut.