Trajneri i Barcelonës, Hansi Flick, ka deklaruar se skuadra e tij nuk do të kërkojë hakmarrje ndaj Real Madridit në finalen e Superkupës së Spanjës. Të dy ekipet do të përballen në një El Clasico shumë të pritur të dielën mbrëma, me trofeun e parë të sezonit në lojë.
Një nga temat kryesore të diskutimit është rikthimi nga dëmtimi i Kylian Mbappes, i cili ka udhëtuar drejt Arabisë Saudite të premten. Flick e cilësoi atë si sulmuesin më të mirë të momentit.
“Aktualisht, Mbappe është sulmuesi më i mirë. Ai ka shënuar një numër të jashtëzakonshëm golash dhe ka talent të klasit botëror. E di që është një lojtar fantastik dhe fenomenal kur ka hapësira pas mbrojtjes. Do të përshtatim disa gjëra, siç bëjmë gjithmonë.”
Një nga narrativat që ka marrë hov në mediat katalanase është se lojtarët e Barcelonës kanë qenë të etur të përballen me Real Madridin në finale, duke e parë këtë si një mundësi për t’u hakmarrë për humbjen e pësuar më herët këtë sezon. Për më tepër, disa lojtarë duket se mendojnë se mund t’i japin goditjen përfundimtare punës së Xabi Alonsos.
“Personalisht, nuk më pëlqen kjo. Ishte vetëm një ndeshje. Ne jemi rikthyer dhe jemi të fokusuar te ajo që është e nevojshme. Kemi luajtur shumë më mirë dhe kemi marrë rezultate më të mira. Ishte vetëm një ndeshje. Ne jemi Barcelona dhe duam të fitojmë gjithçka. Kjo është ajo që ka rëndësi. Ajo që shoh është se ekipi im është shumë i përqendruar. Është një rrugë e gjatë deri në fund të sezonit. Nesër luajmë kundër një prej skuadrave më të mira në botë dhe duhet të tregojmë sa të mirë jemi.”
Barcelona pati vështirësi ta ndalonte Mbappen në përballjen e parë të sezonit, por Flick tha se nuk do të ndryshojë shumë për ta frenuar francezin.
“Sa Clasico kemi luajtur në një vit e gjysmët e fundit? Dhe sa kemi humbur? Kemi humbur një. Kjo është ajo që ka rëndësi. E di që Mbappe është një lojtar fantastik dhe se është fenomenal kur ka hapësira pas mbrojtjes. Do të përshtatim disa gjëra, siç bëjmë gjithmonë. Por jo posaçërisht për shkak të Mbappes. Ne jemi të fokusuar te filozofia jonë, te idetë tona.
























