Njësia e Komunikacionit Rrugor në Ferizaj ka ndaluar dy shoferë që po zhvillonin gara shpejtësie në rrugën Varosh–Gërlicë, duke rrezikuar seriozisht sigurinë publike.
Sipas njoftimit të Policisë, shoferi me inicialet B.S. (22 vjeç), me veturë të tipit BMW dhe targa të Zvicrës, është kapur duke lëvizur me shpejtësi 192 km/h në një zonë ku kufizimi është 60 km/h.
Për këtë shkelje, ndaj tij është shqiptuar gjobë prej 500 euro, ndalim i patentë-shoferit në Kosovë për 12 muaj, si dhe janë njoftuar autoritetet zvicerane, pasi ai posedon leje drejtimi të lëshuar nga Zvicra.
Ndërkohë, shoferi tjetër, F.S. (20 vjeç), shtetas i Kosovës, është kapur duke vozitur një Porsche me shpejtësi 185 km/h në të njëjtën zonë. Ai është dënuar po ashtu me gjobë prej 500 euro, i janë shqiptuar 5 pikë negative dhe ndalim i drejtimit për 12 muaj.
Matja e shpejtësisë është bërë përmes veturës inteligjente të Policisë së Kosovës, e pajisur me radar të avancuar.